Motosport

“Pilotët janë ndryshkur, do ketë aksidente”, drejtuesi i Red Bull ngre alarmin

Botërori i Formulës 1 është parashikuar të startojë në fillim të korrikut, me dy gara të njëpasnjëshme në pistën e Spielberg, saktësisht më 5 dhe 12 korrik. Cirkuiti i Austrisë mund të paraqesë rrezik, sipas Kristian Horner, një nga drejtuesit e skuderisë Red Bull. Ai e shpjegon frikën në lidhje me këto gara me kohën e gjatë të pilotëve pa u ushtruar.

“Pilotët e Formulës 1 nuk kanë qëndruar kurrë më parë për një kohë kaq të gjatë jashtë garave, – thekson Horner për “Guardian”. – Situata ka qenë e tillë. Nëse fillojmë më në korrik, të gjithë pilotët do të jenë ndryshkur dhe mendoj se do të ketë aksidente gjatë garave, do të jetë e rrezikshme”.

Drejtuesi i Red Bull pranon më tej se edhe ai vetë ka nostalgji për kampionatin e Formulës 1. “Herën e fundit që kam qenë për kaq kohë larg një cirkuiti, ndoshta kam qenë 12 vjeç, – pohon ish-piloti 43-vjeçar. – Mezi po presim t’u kthehemi garave zyrtare, kemi shumë dëshirë të zbresim në pistë, sepse nuk është aspak e natyrshme për pilotët dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës sonë që të qëndrojmë në shtëpi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë