Politike

Pikëpyetje ligjore mbi zgjatjen e gjendjes së emergjencës

Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” thotë se Qeveria zgjeroi pushtetin gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e disa vendimeve, përfshirë këtu edhe atë të zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë deri më 23 qershor.

“Ndikimi i masave (të kufizimit) dhe numri relativisht i moderuar i infektimeve dhe vdekje ccuan në një hapje graduale në fillim të muajit mars. Rikthimi i qëndrueshëm në normalitet gradualisht po rikthen ccështjet që shqetësonin Shqipërinë para se të vendoseshin masat kufizuese. Megjithatë, gjendja e fatkeqësisë natyrore e vendosur më 23 mars, e që kufizon një sërë të drejtash themelore u zgjat deri më 23 qershor”, thotë ky fondacion raportin “Demokracia dhe gjendja e emergjencës”.

Raporti vë në dukje se kufizimi i veprimtarisë së pushtetit gjyqësor dhe atij legjislativ ka lënë terren për Qeverinë që gjatë gjendjes së emergjencës të përqëndrojë më shumë pushtet.

“Në një kohë që Parlamenti dhe sistemi i drejtësisë funksionojnë në gjendje të kufizuar, vendimmarrja mbetet e përqëndruar në duart e ekzekutivit dhe me gjasë do të qëndrojë kështu përgjatë të gjithë gjendjes së emergjencës, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e kohëzgjatjes së kësaj emergjence në demokracinë e vendit”, vijon raporti.

Fondacioni ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës në vendimmarrjen e Qeverisë sa u takon masave të kufizimit.

“Mungesa e qartësisë nga ana e Qeverisë mbi bazën teknike të vendimmarrjes dhe procese të tjera që lidhen me masat e emergjencës kanë shkaktuar debat. Zyrtarisht menaxhimi i krizës i është besuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe një grupi të ngritur, të quajtur Komiteti i Ekspertëve, përbërja dhe roli i të cilit mbetet i paqartë. Pas presionit të mediave për këtë ccështje, Kryeministri Edi Rama njoftoi se kush e drejtonte këtë Komitet, megjithatë nuk ka asnjë provë publike se si operon ky komitet dhe se si raportet shkencore të tij shndërrohet në vendime politike”, shton raporti.

Raporti thekson se përqëndrimi i kompetencave në duart e Qeverisë ka ndezur një debat mbi nivelin e demokracisë në vend, debat që është ushqyer më fort edhe pas publikimit të raportit të “Reporterëve pa kufij”, sipas të cilit Shqipëria është përkeqësuar në treguesit për qeverisjen demokratike dhe proceset elektorale.

“Friedrich Ebert Stiftung” pasqyron në raport edhe përplasjen mes Qeverisë dhe opozitës për menaxhimin e krizës. “Duke u nisur nga numrat e infektimeve dhe të vdekje, Qeveria këmbëngul se është një histori suksesi, ndërsa opozita i hedh poshtë këto deklarata duke argumentuar se Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve të banorëve në rajon dhe pretendon se numri i infektimeve është shumë më i lartë dhe se Qeveria po manipulon të dhënat”, thotë fondacioni gjerman.

Raporti vë re se përgjithësisht masat kufizuese janë respektuar nga qytetarët, kujton faljen e gjobave të vendosura në javët e para të pandemisë për shkelje të këtyre masave dhe ndryshimet e ndërmarra në Kodin Penal më 16 prill nga Kuvendi. Megjithatë, raporti vë theksin se pavarësisht lehtësimit të kufizimeve, e drejta për t’u tubuar dhe protestuar mbetet e kufizuar.

“Qeveria nuk ka treguar asnjë tolerim përballë kësaj të drejtë. Në dy raste, policia ka shpërndarë me shpejtësi protestuesit, duke arrestuar me dhjetra prej pjesëmarrës”, thuhet në raport.

“Qeveria jashtë linjave të Kushtetutës”

Në Tiranë, Instituti i Studimeve Politike ngre shqetësimin se vendimmarrjet i janë shmangur ligjit dhe nuk kanë respektuar atë si në frymë, ashtu edhe në procedurën e zgjedhur. ISP flet për vendimmarrje personale, duke iu referuar komunikimeve në rrjetet sociale të Kryeministrit Edi Rama.

“ISP shpreh shqetësimin e thellë se vendimmarrje të rëndësishme që kanë të bëjnë me liritë kushtetutese të qytetarë me të drejtat e njeriut, me aktivitetin privat e shoqëror dhe me raportet midis individit dhe shtetit janë marrë, njoftuar dhe vijojnë të imponohen në rrugë jo institucionale, përmes komunikimit privat të Kryeministrit dhe titullarëve të institucioneve pa vendimmarrje institucionale ligjore dhe pa publikim të akteve sipas kërkesave të ligjit. Kjo praktikë përbën deformim nga parimet e shtetit të së drejtës, cenon liritë kushtetuese, dobëson institucionet, krijon precedentë negative në memorien shtetërore, injoron parimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe si të tilla janë akte të abuzimit me pushtetin”, thotë Instituti.

ISP i kërkon Kuvendit që të rikthejë në shtratin kushtetues e ligjor të gjithë aktivitetin e vendimmarrjes së Qeverisë, përmes kontrollit sipas neneve 170-174 të Kushtetutës. Këto nene lidhen me gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Neni 174 i Kushtetutës përcakton në pikën e parë se gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të vendoset më shumë se 30 ditë dhe në pikën dy të tij se zgjatja e kësaj gjendjeje natyrore bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit. Në prill, Qeveria i kërkoi Kuvendit miratimin për zgjatjen e kësaj gjendjeje, duke përmbushur pikën e dytë të këtij neni. Por, debati lidhet me faktin nëse është shkelur pika e parë e këtij neni apo jo, pasi zgjatja nuk u bë me 30 ditë, por me 60 ditë.

ISP vëren gjithashtu se prej muajsh janë shkelur dhe vijojnë të shkelen nene të Kushtetutës dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave që sanksionojnë publikimin e vendimeve të arsyetuara në Fletoren Zyrtare.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë