Politike

Pickimet e Enkelejd Alibeajt me emra kandidatësh për lokalet 

Enkelejd Alibeaj po zgjedh një taktikë të re në propozimin e emrave të tij për zgjedhjet lokale.

Edhe pse kandidatët dalin në emër të PD-së, deri në momentin e publikimit të lajmit, Alibeaj nuk ka raportuar të ketë mbledhur struktura zyrtare të PD-së për miratimin e tyre.

Deri këtu gjithçka është e dukshme.

Por Alibeaj sa duket nuk e ka fokusin tek procedura e ndjekur, por tek pickimet që ai synon të përcjellë me emrat. Të paktën kështu po rezulton me listën e limituara të emrave që ka propozuar deri më tash

Të martën, zyra e shtypit e grupit “Alibeaj” raportoi se në Fier, për bashkinë e këtij qyteti, në emër të PD, do të garojë Eriselda Zotaj Çelaj.

Kandidatja do të ketë përballë në garë, përveç socialistëve, edhe kandidatin e primareve të Berishës Evdar Kodheli.

 “Eriselda Zotaj Çelaj, ka lindur, dhe jeton në Fier në një familje demokrate, të nderuar dhe me tradita. Eriselda është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve”, shkruan njoftimi i Alibeajt për kandidaten e Fierit.

Profili i saj në fakt ngjan deri diku me profilin e dy kandidateve te tjera po femra deri më tash që Alibeaj ka propozuar; ajo për Vaun e Dejës dhe Patosit.

Për bashkinë e Vaut të Dejës Alibeaj propozoi Klemendita Drinin. Sipas tij, Drini ishte pasardhëse e një familje të nderuar dhe e  persekutuar gjatë nga regjimi komunist.

Për Patosin, Alibeaj prezantoi gjithashtu një kandidate femër Pranvera Rizai. Edhe kjo e fundit, sipas tij, rridhte nga një familje e nderuar dhe e persekutuar gjatë regjimit komunist. Për koincidencë apo jo, tre emrat e fundit që ka propozuar Alibeaj (nga shtatë të tilla) kanë qenë kandidatura femra dy prej tyre që rrjedhin nga familje të persekutuara gjatë regjimit komunist.

Alibeaj ka luajtur me dy karta; kartën e gjinisë dhe kartën e të persekutuarit një nga shtyllat kryesore ku mbështetet PD-ja.

Përveç kandidaturës së Agron Kapllanajt që ishte e pritshme, Alibeaj ka pickuar edhe me një emër tjetër në Dibër me ish-kreun e Degës së PD atje Naim Gazidede i cili është edhe vëllai i ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidede.

Në Kuçovë ai ka zgjedhur një bankier ndërsa në Dimal një sipërmarrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë