Nga Gazeta Si – Australiani Oscar Piastri rriti diferencën në kryesimin e pilotëve pas triumfit në “Dutch Grand Prix” ku shoku i tij në McLaren, Lando Norris u tërhoq në xhirot e fundit.
Një difekt në motor ndaloi britanikun dhe mund të ketë një efekt sizmik në garën për titull. Piastri bëri një start të rregullt nga “pole” dhe krijoi diferencë ndaj Max Verstappen që në bordin e Red Bull parakaloi Norris që nuk vonoi për ta rimarrë pozicionin në një formacion 1-2 në krye të garës.
“Safety Car” mund ti kishte ndryshuar llogaritë kur Lewis Hamilton goditi barrierat në xhiron e 23 por sërish dy makinat McLaren e mbajtën pozicionin e tyre.

Norris vazhdoi ndjekjen dhe mgjs “Safety Car” doli sërish në pistë pas incidentit Charles Leclerc-Kimi Antonelli që nxorri Ferrari-n jashtë garës, dueli për kreun dukej i hapur.
Por gjithçka u ndërpre për Norris kur McLaren-i i tij filloi të nxirrte tym. Për të 3 herë “Safety Car” në pistë i lejoi Piastri-t të ruante vendin e parë dhe fitoren e 7 sezonale.
Tani australiani ka një diferencë prej 34 pikësh nga Norris në klasifikimin e pilotëve. Verstappen e mbylli garën në vendin e dytë, ndjekur nga Racing Bulls i Isack Hadjar që konvertoi vendin e 4 në podium e parë të karrierës së “rookie-t”.

George Russell dhe Mercedes u mjaftuan me vendin e 4, përpara Williams të Alex Albon që u nis nga vendi i 15.
Haas dhe Ollie Bearman që e filluan garën nga “pit lane”, e mbyllën atë në vendin e 6, përpara binomit të Aston Martin.
Lance Stroll dhe Fernando Alonso u renditën respektivisht në vendet 7 dhe 8 përpara Yuki Tsunoda-s që e vendosi Red Bull në vendin e 9. Haas dhe Esteban Ocon plotësuan top 10.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



