Motosport

Piastri dominoi “Bahrain Grand Prix” përpara Russell dhe Norris

Australiani Oscar Piastri u bë piloti i parë që fiton më shumë se një garë në vitin 2025 pas triumfit në “Bahrain Grand Prix”. Australiani tregoi ftohtësinë e një kampioni në garën e 50 në F1 me fitoren e parë të McLaren në Sakhir. Pas një starti të fortë nga pole position – pavarësisht tentativës së George Russell në kthesën 1 – Piastri ndërtoi një kryesim të qëndrueshëm në xhirot që pasuan.

Ndërkohë që Lando Norris mori një penallti prej 5 sekondash për shkak të vendosjes së parregullt në vendin e nisjes – dy makinat McLaren impresionuan edhe pas provës bindëse të britanikut. Kur Safety Car u duk se do të rrezikonte Piastri-n, 24 vjeçari bëri një dalje të pastër në rifillimin e garës duke rritur diferencën deri në 15 sekonda nga ndjekësit.

Russell rezistoi në vendin e dytë pavarësisht provave në fund nga Norris. Nënkampioni në fuqi e mbylli garën vetëm 0.774 sekonda pas Russell. Një rekuperim masiv i pilotit të McLaren pas provave zyrtare të së shtunës. Charles Leclerc u detyrua të qëndrojë në vendin e 4, pavarësisht një nisje të mirë dhe duelit me Norris. Lewis Hamilton e mbylli garën në vendin e 5 përpara Max Verstappen në një mbrëmje të vështirë për pilotin e Red Bull.

Pierre Gasly mori pikët e para për Alpine i ndjekur nga Esteban Ocon pasi strategjia e pilotit të Haas funksionoi në llogarinë e pit stop. Yuki Tsunoda e vendosi Red Bull në vendin e 9 përpara Ollie Bearman që e çoi Haas në të 10 pasi britaniku rekuperoi 10 vende pas startit nga vendi i fundit. Piloti i ditës nga tifozët u shpall Lewis Hamilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë