Kompania “Pfizer” njofton se pilula e saj eksperimentale për trajtimin ndaj Covid-19 zvogëloi rrezikun e shtrimit në spital ose të vdekjes me 89% te pacientët e trajtuar menjëherë pas shfaqjes së simptomave.
Kompania farmaceutike amerikane, tha se një bord i pavarur ekspertësh që monitorojnë provën e ilaçit, këshilloi ndërprerjen e studimit përpara përfundimit të pritshëm për shkak të efikasitetit të treguar nga të dhënat në parandalimin e rëndë të Covid-19.
E njëjta gjë ndodhi edhe me pilulën “Merck-MSD”. Rekrutimi i vullnetarëve ishte pezulluar për shkak të epërsisë së dukshme të ilaçit ndaj placebos, ku nuk u konsiderua etikisht e pranueshme që të privoheshin pacientët, të cilëve u jepet placebo nga përfitimi që rrjedh nga ilaçi në provë.
Të dhënat e pilulave të “Pfizer”-it, aktualisht nuk janë të disponueshme jashtë kompanisë: grupi farmaceutik tha se planifikon t’i dorëzojë rezultatet e trajtimit “sa më shpejt të jetë e mundur” drejtpërdrejt në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së për t’i nxjerrë ato në treg.
Trajtimi përfshin kombinimin e pilulës “Pfizer” me një antiviral më të vjetër, ‘ritonavir’ dhe përbëhet nga tre pilula që jepen dy herë në ditë, duke filluar brenda tre ditëve nga shfaqja e simptomave. Ilaçi i ri do të tregtohet me emrin “Paxlovid”.
Rezultatet, gjithashtu duket se tejkalojnë ato që shihen me ilaçin oral të prodhuar nga “Merck & Co-MSD” dhe të miratuar – për momentin – vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Në fakt, të dhënat kishin treguar se molnupiraviri i “Merck-MSD” është në gjendje të përgjysmojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes në një formë të rëndë.
Trajtimi mund të jetë i disponueshëm në muajt e ardhshëm, megjithëse dozat pritet të jenë të kufizuara në fillim. Të dy medikamentet konsiderohen shumë efektive te njerëzit që kanë të paktën një faktor rreziku për sëmundje të rëndë (për shembull, janë mbi 60 vjeç, kanë obezitet ose sëmundje të zemrës).
Qeveria amerikane ka rënë dakord me “Pfizer” për të ofruar 1.7 milionë doza të trajtimit, me një opsion shtesë prej 3.3 milionë, shkruan gazeta prestigjioze “New York Times”, duke cituar një zyrtar të lartë të administratës. E njëjta shumë do të merret edhe nga “Merck-MSD”.
“Pfizer”, në një deklaratë, thekson se dëshiron një qasje të barabartë për ilaçin e saj, nëse dhe kur të miratohet nga organet rregullatorë. Siç e kishte thënë edhe “Merck”, pilula kundër Covid 19 do të shitet gjithashtu me një çmim më të ulët në vendet më të varfra për ‘Pfizer’
“Vendet me të ardhura të larta dhe të mesme të larta, do të paguajnë më shumë se vendet me të ardhura më të ulëta, – thuhet në deklaratën e kompanisë. – Ne kemi lidhur marrëveshje paradhënie me disa shtete dhe jemi në negociata me shumë të tjerë”.
Burimi: “New York Times”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje