Kompania Pfizer/BioNtech ka konfirmuar për Radion Europa e Lirë se ende është në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina kundër koronavirusit.
“Ende jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Bisedat janë të fshehta dhe nuk kemi ndonjë informacion për të kumtuar aktualisht”, ka thënë për REL-in, Ursa Lakner, një zyrtare e lartë e kompanisë Pfizer.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar në fillim të muajit janar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Më 19 shkurt, Ministria e Shëndetësisë nuk ka njoftuar për ndonjë datë të saktë se kur mund të arrijnë në Kosovë vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, edhe pse ishte paralajmëruar se ardhja e tyre mund të pritet në shkurt.
Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Ndryshe nga Kosova, në disa shtete të rajonit tashmë ka filluar procesi i vaksinimit kundër Covid-19.
Në Shqipëri, vaksinimi ka filluar më 11 janar me doza të vaksinës nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer. Më 16 shkurt, Shqipëria mori edhe 7020 doza të Pfizer-it.
Në Maqedoninë e Veriut, më 17 shkurt ka nisur vaksinimi kundër Covid-19 i punonjësve shëndetësorë, me vaksinat e dhuruara nga Qeveria e Serbisë.
Serbia, ndërkohë ka vaksinuar mbi një milion njerëz.
Më 17 janar në Mal të Zi ka mbërritur kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë dhuratë nga Serbia.
Në fund të dhjetorit, Serbia shpërndau vaksina në veri të Kosovës, ku jeton popullata me shumicë serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.