Ka ndodhur

Pezullohen 7 zyrtarë të Kadastrës, si tjetërsuan një godinë në hotel në mes të Tiranës

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës pezullon 7 zyrtarë të Kadastrës për shpërdorim detyre, pasi akuzohen se tjetërsuan godinën në qendër të Tiranës dhe e legalizuan si hotel.

Ndaj shtatë zyrtarëve, Brisieda Baraj, Anisa Caka, Drilon Lleshi, Erjona Pemaj, Klajdi Dervishi, Genc Tufi dhe Elsa Sherja, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.

Ata akuzohen se tjetërsuan pronën në bashkëpunim me dy vëllezërit Endri dhe Elvis Turtulli, të cilët janë nën hetim.

Çështja në fjalë ka të bëjë me një qytetare në Tiranë, e cila ka kallëzuar në Prokurori se i është tjetërsuar prona me praktika të paligjshme.

Kallëzuesja deklaron se të dy djemtë e saj, jo vetëm kanë falsifikuar dokumentet për të bërë tjetërsimin e pronës, por edhe e mashtrojnë duke mos i dhënë detyrimin që i takon.

Në dosjen hetimore, thuhet se tjetërsimi i pronës nis me deklarimin e dy djemve të të moshuarës, me iniacialet V.K, ndaj të cilëve gjykata ka dhënë masën e detyrimit të paraqitjes nën akuzën e mashtrimit.

Në zyrën e ALUIZNIT, ata deklaruan se ky objekt Hotel “Europa” është ndërtim pa leje i ndërtuar në vitin 1998, fakt ky jo i vërtetë, pasi në vitin 1995, objekti ka qenë i pajisur me certifikatë pronësie nga hipoteka në emër të ish-bashkëshortit të saj, shtetasit B.T, thuhet në dosjen hetimore.

Dy djemtë e të moshuarës, kanë deklaruar që objekti është ndërtuar në vitin 1998, kur mosha e tyre ka qenë njëri 18 dhe tjetri 16 vjeç.

Në bazë të këtyre deklarimeve të rreme, si përfundim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të pasurisë Tiranë, më 5.10.2015, është legalizuar ky objekt dhe janë pajisur me certifikatën e pronësisë djemtë e saj, duke zhveshur nga pronësia nënën e tyre, V.K., në një kohë që ky objekt me Vendim Gjykate i kishte kaluar asaj në pronësi.

Ne lidhje me dokumentet e pronësisë mbi objektin, kallëzuesja deklaron se është zhdukur nga djemtë e saj në hipotekën e Tiranës.

Në fund të vitit 1998 ajo është divorcuar nga bashkëshorti i saj, B.Turtulli. Në vitin 1999 ka filluar në Gjykatën e Tiranës, procesin gjyqësor për pjestimin e pasurisë bashkëshortore, proces nga i cili përfitoi si pronë Hotel Europën, të cilin e ka përfunduar në 1.10.2003.

Këtë biznes nga viti 2005 deri në vitin 2010 e ka dhënë me qira, pasi në atë kohë fëmijët ishin te vegjël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë