Futboll

Pezullimi i Dukës/ Avokatët e FSHF-së, Hicka dhe Topçiu: Vendime të paligjshme

Gazeta Si – Armand Duka, president i FSHF-së, i rizgjedhur më 15 mars, dhe Ilir Shulku, sekretar i këtij i këtij institucioni, mbeten të pezulluar nga Gjykata e Tiranës për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Edhe Gjykata e Apelit nuk e ndryshoi vendimin, kështu që ata nuk mund ta ushtrojnë detyrën, ndërsa FSHF pretendon se vendimet janë të palogjikshme dhe të paligjshme.

Nëpërmjet një konference për shtyp, anëtari i ri i KE-së, avokati Envi Hicka, dhe drejtori i departamentit ligjor dhe licencimit, Aldi Topçiu, kanë reaguar sot për vendimet e gjykatave. Në fjalën e tij Topçiu theksoi akuza e shpërdorimit të detyrës nuk mund të aplikohet për një kryetar organizate jo-fitimprurëse. “Në kuadër të zhvillimeve të fundit ligjore ose antiligjore, dua të shpjegoj pasojat e vendimeve të kamufluara si vendime gjykate. Procesi penal ndaj drejtuesve të FSHF-së është proces politik. Komploti është materializuar më 25.01.2022, kur pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është depozituar kallëzim penal nga Erion Veliaj ndaj Ilir Shulkut dhe Ardian Haçit.

Prokurori Arben Agovi e ka zgjeruar hetimin edhe për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe kryetarin e komisionit të verifikimit, Koço Kokëdhima, këta të fundit të dyshuar për “shpërdorim detyre”, duke kërkuar për të gjithë këta persona masën e sigurimit “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”.

Aldi Topçi, drejtor i departamentit ligjor te FSHF-se. Gazeta Si, 21 mars 2022

Kërkesa është pranuar për ditë të diel nga gjyqtari Artan Gjermeni dhe më tej është lënë në fuqi edhe nga Gent Shala. Ky vendim është jo vetëm alogjik, por edhe i paligjshëm. Armand Duka akuzohet për shpërdorim detyre dhe duhet të kuptojmë se kjo vepër mund t’i atribuohet vetëm personave që ushtrojnë funksione publike, zyrtarëve të zgjedhur apo emëruar nga organet e administratës publike.

Presidenti i FSHF-së është thjesht një kryetar shoqate. Duke mos pasur një funksion public, është e paligishme të vendoset një masë sigurimi personale. Edhe sikur të biem në nivelin e gjykatës dhe të pranojmë që presidenti i FSHF-së qenka funksion publik, duhet marrë në analizë se cilat janë detyrat që janë shpërdoruar?!

Është thelbësore të shpjegohet se Armand Duka po akuzohet për zgjedhjet në Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, ndonëse për këtë as nuk ka ndonjë provë që lidh Dukën me zgjedhjet e “falsifikuara”, as nuk ka ndonjë normë që sanksionon se presidenti i FSHF-së duhet të jetë përgjegjës për zgjedhjet nëpër anëtarët e FSHF. Absurdi thellohet po të mendosh se për këto zgjedhje të falsifikuara, vetë Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i zhbëjë.

Armand Duka dhe Ilir Shulku është pezulluar nga detyra e presidentit të FSHF dhe vetë Giykata është shprehur pavarësisht këtij pezullimi, atyre i lejohet të kryejnë veprime administrative për kryerje pagesash në favor të personave fizikë ose juridikë”, – tha mes të tjerash Topçiu.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Envi Hicka, u ndal në veçanti te paligjshmëria e akuzave që janë ngritur ndaj drejtuesve më të lartë të FSHF-së: “Është statusi në këtë rast i presidentit të FSHF, që për gjuhën juridike do të thotë: A mund të jetë ky person subjekt i veprës penale të shpërdorimit të detyrës apo jo? Jo! Subjekt i veprës penale të shpërdorimit të detyrës nuk mund të jetë një person, i cili kryen një detyrë të caktuar në një organizatë jo-fitimprurëse.

Ky është gabimi thelbësor i të gjitha këtyre proceduarave. Nëse ky gabim vazhdon, do të thotë që rendi juridik shqiptar nuk i garanton mirëfunksionimin organizatave joqeveritare. Detyrat nuk përcaktohen nga rendi juridik i Republikës së Shqipërisë. Nëse e gjithë kjo situatë ku jemi sot, ka një rrezikshmëri apo një shqetësim për mirëfunksionimin e futbollit në të ardhmen në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, kjo lidhet me këtë kriter specifik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë