Kosova

Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-të godet ekonominë e Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’- Pas vendimit të SHBA-ve për ta pezulluar procesin e Dialogut Strategjik me Kosovën, Oda Ekonomike dhe shoqëria civile kanë paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës dhe për partneritetin me aleatin kryesor të vendit.

Vendimi i fundit i SHBA-ve për pezullimin e Dialogut Strategjik të planifikuar me Kosovën po cilësohet si “shuplaka më e rëndë” që ka marrë vendi deri më tani. Përveç goditjes politike, vlerësohet se pasojat do të ndihen fuqishëm edhe në ekonomi.

Reagimi i Odës Ekonomike dhe Dhomës së Tregtisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë shprehur shqetësim të thellë, duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për të ardhmen demokratike, ekonomike dhe euroatlantike të vendit.

DhTIK kujtoi se ka qenë e para që ka kërkuar heqjen e taksës ndaj produkteve amerikane, por sipas saj, hapat e qeverisë ishin të vonuar dhe pa efekt. “Çdo veprim apo deklaratë që dëmton raportin me SHBA-të është kundër interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës”, thuhet në reagim.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) e quajti pezullimin e Dialogut Strategjik një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës. Ajo bëri thirrje për ndryshim të menjëhershëm të qasjes së Qeverisë dhe koordinim më të ngushtë me SHBA-të.

OEK, në anën tjetër, theksoi se imazhi i Kosovës si vend i sigurt për investime duhet trajtuar si prioritet kombëtar. “Mungesa e investimeve të huaja direkte dhe rënia e investimeve nga diaspora po e çojnë ekonominë drejt një situate gjithnjë e më sfiduese”, thuhet më tej.

Shoqëria civile

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 paralajmëroi se tensionet politike dhe mosfunksionimi i institucioneve do të prodhojnë pasoja serioze për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Ajo theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht ato të drejtuara nga gratë, janë më të ekspozuara ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë.

Ndërkohë, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) reagoi duke e cilësuar pezullimin e Dialogut Strategjik si një sinjal alarmant për prishjen e partneritetit Kosovë-SHBA. “Nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e SHBA-ve”, theksohet në reagimin e tyre, duke kërkuar veprim urgjent për rindërtimin e besimit.

Qëndrimi i Ambasadës Amerikane

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë njoftoi të premten se Dialogu Strategjik është pezulluar për një kohë të pacaktuar për shkak të veprimeve dhe deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat kanë rritur tensionet dhe kanë kufizuar aftësinë për bashkëpunim produktiv.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të SHBA-ve dhe popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.

Çfarë është Dialogu Strategjik?

Dialogu Strategjik është një proces i Departamentit Amerikan të Shtetit që zhvillohet me vende të ndryshme për të avancuar marrëdhëniet bilaterale. Ai përfshin diskutime të nivelit të lartë mbi mbrojtjen, sigurinë, mjedisin, energjinë dhe bashkëpunimin ekonomik.

SHBA-të e kanë zhvilluar këtë dialog me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Poloninë, Rumaninë, Austrinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera. Në Ballkan, deri më tani vetëm Maqedonia e Veriut ka pasur një marrëveshje të tillë me Washingtonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë