Drejtësia

Pezullimi i Ballukut, SPAK kundër qeverisë: Masa të mbetet në fuqi, nuk preket kryeministri

Gazeta Si – Gjatë seancës publike në Gjykatën Kushtetuese, SPAK ka kërkuar që të lihet në fuqi masa për pezullimin e nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur si e dyshuar për abuzimin me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Prokurori Dritan Prençi, parashtroi argumentet e SPAK, duke theksuar që në fillim se ndryshe nga çfarë pretendon Këshilli i Ministrave, nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO dhe Qeverisë.

Prençi theksoi se kryeministri, si palë paditëse, nuk ka legjitimitet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, pasi nuk është subjekt i procedimit penal dhe nuk i janë cenuar kompetencat kushtetuese.

Sipas SPAK, “nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash që të justifikojë aktivizimin e Kushtetueses” për këtë rast.

SPAK argumentoi se GJKKO ushtron kompetencat e saj në kuadër të procedimit penal, ndërsa Kryeministri “vepron mbi bazën e Kushtetutës në një sferë krejtësisht tjetër”.

Sipas Prençit, “masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve dhe shkallëve të tjera të gjyqësorit”.

Kërkesa e Kryeministrit, sipas SPAK, nuk lidhet me mbrojtjen e kompetencave institucionale, por synon të ndërhyjë në një proces penal në zhvillim, gjë që bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.

Pra, sipas SPAK, në “Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku, vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë”.

Sa i përket pretendimit se pezullimi i Ballukut ka penguar ushtrimin e kompetencave të kryeministrit, SPAK e cilësoi këtë argument të pabazë.

“Masa ndaluese prek vetëm individin dhe jo funksionimin e institucionit, ka natyrë të përkohshme dhe është e domosdoshme për garantimin e vijimit normal të hetimit penal”, – argumentoi Dritan Prençi.

Sa i takon pretendimeve të qeverisë se Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra pa autorizim nga Kuvendi, pasi gëzon imunitetin e deputetit, SPAK theksoi se qeveria tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Mandati i deputetit dhe detyra e ministrit, sipas SPAK, nuk krijojnë një status të vetëm juridik.

Prençi nënvizoi se Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave, duke qenë se është rikthyer në detyrë.

“Duke patur parasysh edhe rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, dhe kemi argumentuar në parimin e proporcionalitetit, nevojat për marrjen e provave, hetimet, me dëshmitarë dhe siç kemi argumentuar edhe në kërkesën tjetër në Kuvend, që realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave”, tha prokurori i SPAK.

Më tej, Prençi përmbylli se masa duhet të mbetet në fuqi dhe kërkesa e kryeministrit të rrëzohet.

“Vendimet e GJKKO janë marrë nga organi kompetent dhe nuk cenojnë pushtetet. Masa duhet të mbetet në fuqi si masë e domosdoshme dhe propocionale për garantimin e vijimit të procesit penal. Kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha Prençi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë