Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë, pasi me vendim të GJKKO, Belinda Balluku u pezullua nga detyra dhe iu ndalua largimi jashtë vendit.
Ai tha se qeveria do respektojë gjithmonë punën e organeve të drejtësisë, por nga ana tjetër shtoi nuk mund të injorojë vendime që sipas tij reflektojnë “dobësitë e një pushteti të ri”.
Sipas kreut të qeverisë, me vendimin e GJKKO per Belinda Ballukun u cënua pavarësia e ekzekutivit. Rama paralajmëroi se çështja do shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkohet sqarim te Gjykata e Posaçme, për një masë që siç e nënvizoi vazhdimisht, tejkalon sipas tij kompetencat e një institucioni drejtësie.
“Sa i takon rastit konkret dua të them tre gjëra:
Pavarësia e gjyqësorit nuk është një manovër politike dhe asnjë eksperiment i përkohshëm, por shkëputje historike nga e kaluara. E realizuar vetëm në vitet e fundit kjo pavarësi i ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive. Duke filluar nga një fakt i pakundërshtueshëm, varrosja e pandëshkueshmërisë. Por ka shfaqur edhe dobësitë e një pushteti të ri, fëminor për nga mosha dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjesht për ne këto reflekse të vjetra antidemorkatike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte. Para kushte për cdo qëndrim nga ana jonë, sepse siç thotë edhe një fjalë e mençur, ‘kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë’.
Këtu vij tek e treta, pezullimi nga detyra e një ministri dhe në këtë rast zv kryeministri, është një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart, të një pushteti krejt të ri dhe refleksve antidemokratike”, tha ai.
Thënë kjo, për atë vendim Rama tha se nuk do të ketë asnjë kundërpërgjigje tjetër, përveçse ligjore.
Lidhur me ‘zgjidhjen’ e ngërçit në qeveri duke emëruar një zëvendësuese të Ballukut, Rama tha se momentalisht Shqipëria nuk ka zv.kryeministre dhe as një ministre në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrje në pavarësisë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrim i asaj bazuar mbi Kushtetutë. Nuk jemi në kushtet që duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë.
Kështu që për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zv,kryeministër dhe nuk ka një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



