Nga Gazeta ‘Si’– Disa orë përpara nisjes për në Bruksel, kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar në kryesinë e Kuvendit ku e pranishme ishte edhe Belinda Balluku, e cila tashmë gëzon vetëm statusin e deputetit.
Pikërisht sa i takon çështjes “Balluku”, kryeministri ka ndarë 3 konkluzione nga gjithçka është diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Fillimisht, ndalet te pezullimi nga detyra, që ai e thekson “paralizon jo vetëm funksionin, por edhe institucionin”.
Së dyti, bën me dije se grupi i PS-së do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion, referuar këtu faktit që nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për marrjen e një vendimi nga gjyqtarët e Kushtetueses.
“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion“, thotë Rama.
Ndër të tjera Rama thotë se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, të cilët kanë kërkuar arrestimin e saj, por për këtë duhet që Ballukut t’i hiqet nga Kuvendi imuniteti i deputetit.
“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, shkruan ai.
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
— Edi Rama (@ediramaal) February 9, 2026
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të…
Kjo mbledhje, që në fakt është e përjavshme, u zhvillua para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.
Kujtojmë se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.
Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Teksa e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, Rama e bëri të qartë se beteja ligjore për këtë rast do të vijojë, duke ritheksuar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



