Gazeta Si – Pas akuzave të krydemokratit Sali Berisha se po ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se e ka kërkuar ai, si palë, ankimimin e pezullimit nga detyra të zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Rama mohoi çdo ndërhyrje dhe deklaroi se ankimin e vendimit të GJKKO-së e ka bërë si kryetar i qeverisë, për çështje parimore dhe jo personale.
Rama theksoi se legjitimimi i pezullimit të ministrave me vendim të prokurorit apo gjyqtarit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për funksionimin e pushteteve në vend.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ, një ministre, që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror e gjykatës. Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt”.
Shefi i qeverisë theksoi se qëllimi i tij nuk është të ndikojë te gjyqtarët, por të mbrojë balancën institucionale.
“Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se pretendimet e Berishës për qëndrimet e Komisionit të Venecias janë të pavërteta, duke theksuar. Rama u shpreh se opozita nuk gjen dot një rast të pezullimit të ministrit në Europë, me vendim gjykate.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se lejimi i pezullimeve të ministrave nga organet e drejtësisë përbën rrezik për ekuilibrat institucionalë.
“Duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, do të kishim diçka që është e panjohur. Mjafton të parafytyrosh çfarë dëmesh do kishte nëse do lejohej kjo”, nënvizoi ai.
Në vijim, Rama shtoi se nëse një ministër pezullohet, një zv.ministër nuk mund të marrë automatikisht detyrat e tij. “Nëse pezullohet një ministër, zv.ministri nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij”.
Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.
Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun, ndërsa më 2 dhjetor, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet për të shqyrtuar padinë e bërë nga kryeministri Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme për vendimin ndaj saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



