Politike

Pezullimi i Ballukut, Bardhi: Kuvendi të mbledhë urgjent Këshillin e Mandateve

Gazeta Si – Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për çështjen e Belinda Ballukut, Gazment Bardhi i bëri thirrje kreut të Kuvendit, Niko Peleshi të njoftojë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, kërkoi që çështja të përfshijë të enjten në seancën plenare kërkesën për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku. Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë. Koha e manovrave ka mbaruar!”, theksoi kreu i grupit demokrat.

Në një postim në rrjetet sociale , Bardhi u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzon përpjekjet e Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Alibitë tashmë kanë rënë! Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan! Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë”, u shpreh Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë