Nga Gazeta ‘Si’- Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkoviç, tha se “Prishtina po e vret” dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Petkoviç dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të martën në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, por që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Palët diskutuan, mes tjerash, për Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve, për Aneksin e zbatimit të saj, për të zhdukurit në luftë dhe për një marrëveshje për energjinë.
Petkoviç tha në një postim në X të mërkurën se Bislimi i “refuzoi” dhe “kritikoi” të gjitha këto.
Në komunikatën për media që lëshoi Bislimi të martën u tha, mes tjerash, se pala serbe refuzoi të angazhohej në diskutime për miratimin e planit të zbatimit dhe zyrtarizimit të Marrëveshjes Bazë, bazuar në garancitë e kërkuara në takimin e liderëve, javën e kaluar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishin më 26 qershor në Bruksel, por zhvilluan vetëm takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë, pasi Kurti e kushtëzoi takimin me Vuçiçin me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Vuçiç i refuzoi këto kërkesa dhe takimi i tij direkt me Kurtin nuk u realizua.
Pas bisedimeve të djeshme mes kryenegociatorëve, Lajçak shkroi në X se “është rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim”, por nuk dha detaje.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.
Palët janë në negociata qysh në vitin 2011, por pak prej marrëveshjeve të arritura janë zbatuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.