Kosova

Petkoviç: Kurti nuk do as bisedime as kompromis me Serbinë

Nga Gazeta ‘Si’-Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do bisedime” e as “kompromis” me Serbinë.

Petkoviç i bëri komentet pak ditë pas rundit të fundit të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kurti nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti është ai që nuk ka dashur të bisedojë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Vuçiç, qartazi, ka treguar se është i gatshëm për zgjidhje kompromisi, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur serbët në Kosovë”, tha Petkoviç.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se në çfarë kushtesh të pamundura po negociojmë”, shtoi ai.

Sipas tij, Kurti “nuk do zgjedhje, nuk do marrëveshje, nuk do asgjë”…

“Për ne, dialogu dhe kompromisi nuk janë fjalë të këqija, por një rrugë për të shkuar në drejtim të shtensionimit, për të siguruar paqen në rajonin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Petkoviç.

Duke folur të hënën në një konferencë për media, Kurti tha se emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në raundin e fundit të bisedimeve.

Sipas tij, dukej se kishte një koordinim mes Lajçakut dhe Vuçiçit për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e Marrëveshjes [bazë] zbatohet”.

Petkoviç tha se “Kurti po shpik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë