Kosova

Petkoviç kritikon Kurtin për qëndrimin rreth vizitës të mundshme të Vuçiç në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili ka thënë se nuk do ta lejonte vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Kosovë.

Kurti, në një intervistë për Klan Kosova, më 30 mars, ka thënë se marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiç nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë.

“Nëse kemi parasysh njeriun, i cili thotë se masakra e Reçakut është fabrikim, dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”.

Petkoviç ka thënë se Kurti kot mburret, pasi nuk pyetet për diçka të tillë.

“Kush është Kurti që ta përcaktojë dhe t’i japë leje për vizita në krahinë presidentit Vuçiç, kur ka marrëveshje të nënshkruara që rregullojnë qartë këtë çështje?”

Sipas Petkoviçit, Kurti “ka frikë” nga vizita e presidentit Vuçiç, sepse “e di sa do të thotë kjo për popullin serb në Kosovë dhe Metohi”.

Në mars të këtij viti, vetë Vuçiç ka thënë se shpreson që do të mund ta vizitojë Kosovën, deri në fund të vitit.

Në kuadër të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet kanë arritur marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, 2014.

Aty janë përcaktuar edhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita dhe kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër.

Për të gjitha këto, sipas marrëveshjes, BE-ja duhet të jetë e informuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë