Kosova

Petkoviç ‘braktis’ takimin e Komisionit për personat e zhdukur në Bruksel: Dialog i pamundur!

Nga Gazeta ‘Si’- Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në 10 komuna, Petar Petkoviç ka njoftuar se ka hequr dorë nga bisedimet që po mbaheshin sot në Bruksel.

Ndërsa duhej të zhvillohej takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit pas dakordësisë së arritur më herët, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi tha se bisedimet në këto kushte ishin të pamundura.

“Dialogu është i pamundur në kushtet ekzistuese të krijuara nga kryeministri i përkohshëm i institucioneve të Prishtinës, Albin Kurti i cili ka për qëllim cënimin e dialogut dhe marrëveshjes rreth të zhdukurve”, ka deklaruar ai sipas mediave serbe ndërsa shtoi se pritet të flasë më vonë gjatë ditës së sotme.

Më herët, Petkoviç e akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për terror dhe tha se ai ka zgjedhur rrugën e veprimeve të njëanshme.

Ai tha se aksioni i sotëm ishte edhe tregues pse Kosova në Bruksel nuk po përfaqësohej me kryenegociatorin Besnik Bislimi por në krye të bisedimeve për marrëveshjen ishte Halil Cenaj.

Më herët, mëngjesin e sotëm pas mbylljes së këtyre institucioneve, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla deklaroi se “epoka e tyre kishte përfunduar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë