Nga Gazeta ‘Si’-Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”.
Përmes një njoftimi më 28 mars, Petkoviç tha se “ka një dëshirë për nxitim” për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.
“Por, ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha Petkoviç.
Ai shtoi se Serbia i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Evropës “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të ishte precedent që do të shkatërronte vetë parimet fundamentale të kësaj organizate” kur vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën.
“Do të ishte qartësisht një gjest armiqësor karshi Serbisë, e cila deri më tani ka qenë anëtare aktive dhe e përkushtuar e kësaj organizate ndërkombëtare”, u tha në njoftim.
Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.