Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë post aktualisht e mban Mirosllav Lajçak.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.
Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.
Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun.
Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.
Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij.
Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.
Burimet diplomatike në BE, i thanë Radios Evropa e Lirë që Sorensen pritet të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe nuk do të ketë detyrime të tjera lidhur me Ballkanin Perëndimor, siç ka pasur paraardhësi i tij.
Për postin e lehtësuesit të dialgout ishte përmendur edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.
Për këto rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.
Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.