Shendet

Pesticidet në luleshtrydhet e importuara nga Greqia mund të shkaktojnë probleme me fertilitetin

Nga Gazeta ‘Si’- Pesticidi i gjetur në luleshtrydhet e importuara nga Greqia mund të paraqesë rreziqe serioze për shëndetin e konsumatorëve.

Ky është alarmi që kanë ngritur ekspertët pas lajmit se 52 kg luleshtrydhe me pesticide të ardhura nga Greqia, rezultuan të shitura në tregun shqiptar.

Eksperti Ervin Resuli thotë për Gazetasi.al se pesticidi që është gjetur në këto luleshtrydhe njihet si  clofentezina, i cili përdoret për të luftuar merimangat.

Ky kimikat depozitohet kryesisht në mëlçi dhe tiroide. Ka efekte të provuara toksike në organizmat laboratorikë dhe është vërejtur se shkakton rritje të tumoreve në tiroide dhe mëlçi në kafshë, në përdorim të zgjatur dhe me doza të larta”, thotë Resuli.

Resuli citon se pesticidi që është gjetur në këto luleshtrydhe njihet si clofentezina dhe përdoret për të luftuar merimangat

Edhe pse nuk klasifikohet si kancerogjen për njeriun në kushte normale, ai shpjegon për Gazetasi.al se prania e mbetjeve të tij në fruta si luleshtrydhja, sidomos kur konsumohen pa larje të thellë ose në sasi të mëdha, përbën një rrezik të mundshëm veçanërisht për fëmijët dhe gratë.

Të njëjtën tezë e mbështet edhe eksperti i teknologjisë ushqimore, Abdyl Sinani i cili deklaron se  lënda toksike e identifikuar në këto fruta mund të ketë pasoja të rënda, duke shkaktuar edhe probleme me fertilitetin.

Sipas tij, ata ndikojnë negativisht edhe në sistemin nervor, duke shkaktuar marrje mendsh, dhimbje koke dhe dobësim të organizmit, varësisht nga sasia e konsumuar.

Në bazë të procedurave standarde kur një produkt dërgohet për t’u analizuar duhet të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave.

Në rastin konkret asnjë kilogram luleshtrydhe nuk rezultoi e  bllokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë