Ngjarje

Pesticide mbi normë në tregun shqiptar, AKU bllokon pjeshkat dhe rrushin nga Greqia e Italia

Gazeta Si – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), ka konstatuar praninë mbi normë të mbetjeve të pesticideve në dy produkte të importuara, pjeshkë dhe rrush nga Greqia dhe Italia, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin.

Sipas njoftimit, të dy produktet janë klasifikuar me risk për shëndetin e njeriut dhe janë raportuar menjëherë në sistemin evropian të sigurisë ushqimore RASFF.

Gjatë kontrolleve zyrtare, pjeshkat e importuara nga Greqia rezultuan me mbetje të pesticidit “Phosmet” në nivele të tejkaluara nga normat e lejuara.

Në një tjetër rast, rrushi i kuq francez i importuar, po ashtu nga Greqia, u analizua dhe rezultoi me pesticidin “Propamocarb” mbi normat e lejuara. Ky produkt u gjet nga inspektorët në një supermarket në Lezhë, me një sasi prej afërsisht 800 kg.

Po ashtu pas kontrolleve, ka rezultuar se produkti rrush tavoline (varieteti Red Globe) i importuar nga Italia, është konstatuar me praninë e mbetjes së pesticidit “Bitertanol”.

AKU ka ndërhyrë duke bllokuar sasinë e mbetur në treg dhe duke nisur procedurat për asgjësimin e tij. Edhe për këtë rast, është bërë njoftimi përkatës në sistemin RASFF.

Operatori i biznesit ushqimor është urdhëruar të njoftojë të gjitha subjektet ku është shpërndarë produkti dhe të organizojë kthimin e tij në rast se është ende në gjendje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë