Para

Peshkimi kërkon qasje tek fondet e BE

Industria e peshkimit thotë se është në kufijtë maksimalë të kapaciteve që ka dhe i kërkon Qeverisë që të shqyrtojë mundësi të reja nxitjeje dhe zhvillimi të këtij sektori.

Një prej këtyre mundësive iu shqiptua Kryeministrit Edi Rama në Durrës gjatë një dreke me përfaqësues të kësaj industrie, mes të cilëve edhe sipërmarrësi, Gjergj Luca.

Luca i kërkoi Kryeministrit që të shihet mundësia e qasjes së peshkatarëve tek fondet e Bashkimit Europian, njësoj si bujqësia.

“Nëse ju do ta fusni peshkimin në IPARD, si shembull erdhën 1.5 mln euro këtu për motora, i morën ata që kishin më shumë nevojë dhe nuk u përplas asnjë nga komuniteti (i peshkarëve). Gjithë ato lek shkuan për ata që kishin më shumë nevojë. Tani, nëse peshkimin do ta fusni si industri te IPARD-i, siç e keni fut te bujqësia, që të ketë mundësi që të marrim pak ajër”, tha Luca.

Në këtë takim, Kryeministri Edi Rama renditi politikat lehtësuese të Qeverisë për këtë sektor, përfshirë këtu TVSH-në dhe investimet e bëra tek portet e peshkimit. Ai përmendi projektin për rindërtimin e Portit të Durrësit dhe tha se porti i peshkimit do të përfshihet në të gjithë planin e zhvillimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë