Gazeta Si – Një ditë pas plagosjes me thikë të një 28-vjeçari në fshatin Mollaj në Korçë, policia ka zbardhur ngjarjen, duke arrestuar 5 persona, përfshirë autorin e dyshuar të plagosjes, Aleks Qiqi.
Gjatë debatit, 41-vjeçari, banues në fshatin Mollaj, dyshohet se ka goditur me thikë në trup shtetasin Ari Kodra, 28 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas ngjarjes, policia arrestoi Qiqin, i cili gjatë përplasjes fizike ka pësuar dëmtime në kokë dhe trup. Aktualisht ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet zbuluan se, pas momentit të plagosjes, katër persona të tjerë Isuf Dalipi 45 vjeç, Thanas Paskali 47 vjeç, Dhimitër Kodra 47 vjeç Bilal Shkëmbi 33 vjeç të gjithë banues në Mollaj – kanë ndërhyrë për të ndihmuar 28-vjeçarin, duke goditur me grushte e mjete të forta autorin e dyshuar dhe duke i shkaktuar plagë të konsiderueshme.
Për këtë arsye, edhe këta katër shtetas u arrestuan dhe do të përballen me akuzën “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, ndërsa 41-vjeçari akuzohet për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi thikën e përdorur në sulm, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



