Analize

Pesë hapat që mund ta shpëtojnë Ukrainën

Nga Stephen Hadley dhe Matthew KroenigLufta në Ukrainë ka mbërritur në një pikë kritike. Synimi mbetet që Ukraina të dalë prej saj si një vend i pavarur, i begatë, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, dhe e aftë për të mbrojtur veten. Kjo do të kërkojë përshpejtimin e dërgimit atje të armëve dhe teknologjisë së përparuar, si dhe ndjekjen e një strategjie të re ushtarake dhe diplomatike për të mbrojtur territorin ukrainas.

Po ashtu do të kërkojë edhe rritjen e volumit të prodhimit të armëve për Ukrainën, përmirësimin e mbrojtjes së saj ajrore, shtimin e sulmeve kundër linjave të furnizimit të Rusisë dhe sidomos të sulmeve ndaj Krimesë.

Në rast se administrata Biden e përqafon këtë qasje, ajo mund t’i japë fund ngurrimit të Kongresit për të ofruar më shumë ndihmë për Ukrainën. Kundërofensiva e Ukrainës në pranverën e vitit të kaluar, ishte më pak e suksesshme nga sa kishte shpresuar shumëkush.

Kjo u dha kohë forcave ruse të forconin pozicionet e tyre pas llogoreve dhe fushave të minuara. Taktikat e reja, si përdorimi i dronëve për të dalluar mjetet e blinduara dhe armët me një saktësi të lartë dhe për t’i shkatërruar ato, u kanë ofruar pushtuesve rusë një avantazh mbrojtës.

Gatishmëria e Perëndimit për të ndihmuar Ukrainën nuk është e garantuar, sidomos përballë ngërçit që po vihet re në Uashington. Mënyra aktuale e luftimeve e favorizon Rusinë, për shkak të avantazheve të saj në industrinë mbrojtëse, burimeve njerëzore dhe tolerancës së lartë të Vladimir Putinit për humbjet që pëson ushtria ruse në front.

Për t’i marrë parasysh këto realitete, Ukraina dhe aleatët e saj duhet të ndjekin një strategji të përshtatur sipas 5 elementëve kryesorë. Së pari, përpjekjet ushtarake të Ukrainës duhet të fokusohen më shumë tek mbrojtja. Kievi duhet të ruajë territorin që kontrollon ende, edhe pse po përgatitet ndërkohë për kundërsulme të reja.

Këtu përfshihet Odesa, qytet që ofron qasje në Detin e Zi, dhe për pasojë ka një rëndësi jetike për ekonominë e Ukrainës, e cila varet nga eksportimi i grurit në tregjet ndërkombëtare.  Forcat ukrainase duhet të krijojnë linja të fortifikuara mbrojtëse, dhe të përdorin sensorët dhe dronet e avancuar për të parandaluar zgjerimin e pushtimit rus në të ardhmen.

Së dyti, Ukraina duhet ta reduktojë varësinë e saj nga ndihma e huaj. Ajo ka një industri të fuqishme të mbrojtjes, e cila po prodhon më shumë armë se sa përpara pushtimit të Rusisë në vitin 2022. Kievi ka nënshkruar më shumë se 20 marrëveshje me partnerë të huaj për mirëmbajtjen dhe prodhimin e përbashkët të armëve, duke i sjellë një rritje të ndjeshme të kapacitetit industrial brenda dhe jashtë vendit.

Kompania gjermane Rheinmetall dhe ajo turke Baykar, po planifikojnë të ndërtojnë fabrika në Ukrainë për të prodhuar përkatësisht tanke dhe dronë. Por SHBA-ja mbetet prapa në këtë aspekt. Uashingtoni duhet të nxisë sipërmarrjet e përbashkëta me industrinë ukrainase të mbrojtjes, duke ndihmuar kompanitë amerikane në këtë sektor që të zbusin rreziqet e të bërit biznes në një zonë lufte, dhe duke reduktuar rregulloret, përfshirë kufizimet në transferimin e teknologjisë sipas Rregullores Ndërkombëtare të Trafikut të Armëve.

Së treti, SHBA-ja dhe vendet e tjetra aleate duhet ta ndihmojnë Ukrainën të ndërtojë një rrjet të përmirësuar të mbrojtjes ajrore dhe raketore. Ukraina duhet të mbrohet me çdo mjet nga fushata brutale ajrore e Rusisë. Aleatët perëndimorë duhet të dërgojnë atje sistemet Patriot nga pjesët e tjera të Evropës në Ukrainë, dhe të bashkëpunojnë me Kievin për të zhvilluar një mbrojtje me kosto të ulët kundër dronëve dhe armëve të tjera.

Së katërti, Ukraina duhet të synojë të godasë linjat ruse të furnizimit në Ukrainën Lindore dhe Rusinë Perëndimore. Kjo do të sillte dëmtimin e logjistikës ruse, dhe do të vështirësonte përpjekjet e Moskës për të konsoliduar përfitimet e saj territoriale. SHBA-ja dhe Evropa duhet ta lejojnë Ukrainën të përdorë armët që i dërgojnë për të shënjestruar forcat ruse në Rusi. E njëjta gjë duhet të vlejë për linjat e furnizimit dhe logjistikën ruse.

Së pesti, Ukraina duhet të rrisë kërcënimin ndaj pozicionit të cenueshëm ushtarak të Rusisë në Krime. Kjo duhet të përfshijë sulmet me raketa me rreze të gjatë, si dhe operacione speciale kundër forcave ruse, bazave dhe linjave të furnizimit. Se përse mbetet ende në këmbë Ura e Kerçit, kjo është ende një mister.

Për t’i bërë të mundura këto sulme, SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë duhet t’i ofrojnë Ukrainës armë me rreze më të gjatë veprimi dhe më të fuqishme, si dhe të heqin ndalimin ndaj përdorimit të tyre për sulmet ndaj forcave dhe logjistikës brenda territorit rus.

Gjermania duhet të dërgojë menjëherë në Ukrainë raketat e saj Taurus, ndërsa SHBA-ja duhet të dorëzojë Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë me rreze 190 milje, ATACMS. Kjo lëvizje nuk do të rrezikonte të boshatiste rezervat e SHBA-së, pasi Amerika ka një inventar të madh dhe një linjë aktive prodhimi, dhe po e heq nga përdorimi këtë sistem për ta zëvendësuar me raketa më të sofistikuara dhe me me rreze më të gjatë Precision Strike.

Po ashtu, vendet perëndimore duhet t’i ofrojnë Ukrainës avionë luftarakë F-16 të armatosur me raketa anti-rrezatim me shpejtësi të lartë për të dërrmuar mbrojtjen e integruar ruse ajrore dhe raketore, dhe për t’i lejuar raketat ukrainase të arrijnë objektivat e tyre. Në këtë luftë Krimea mund të jetë qendra më e rëndësishme e gravitetit.

Putin ka luksin të lëshojë disa fshatra në Donbas, por humbja e gadishullit do të ishte një goditje e madhe për të. Arritja e kësaj të fundit, mund të jetë mënyra e vetme për ta bindur atë t’i japë fund konfliktit. Ne dyshojmë nëse kjo qasje do të sillte një traktat paqeje të negociuar, apo edhe në një marrëveshje formale armëpushimi.

Megjithatë, ajo mund të sjellë de fakto një ngërç, me një linjë kontakti aktive por statike midis dy ushtrive dhe shumë më pak luftime. Kjo do të shpëtonte jetë dhe do t’i jepte ​​frymëmarrje Ukrainës. Shumë njerëz në Ukrainë dhe Perëndim do ta kundërshtonin këtë tezë, duke thënë se kjo qasje do t’i jepte mundësi Rusisë të ripërtërinte forcat për të sulmuar sërish më vonë.

Ukraina kujton ende sot Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, në të cilin dorëzoi armët e saj bërthamore, në këmbim të garancive dypalëshe të sigurisë së SHBA-ja dhe Britania. Por ajo nuk arriti ta frenojë pushtimin nga Rusia. Duke pasur parasysh këtë përvojë të hidhur, Kievit mund t’i falet që dëshiron sot anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kjo e fundit është jashtë tryezës së diskutimit, së paku derisa të ketë një vijë të qëndrueshme ndarjeje midis forcave ukrainase dhe ruse dhe të pakësohet konflikti. Sipas mendimit tonë, vetëm perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe BE, do t’i jepte presidentit Volodymyr Zelensky dhe popullit ukrainas sigurinë se Rusia do të pengohej të pushtonte më shumë të Ukrainës.

Po ashtu, do të siguronte mbulesën politike të nevojshme për të pranuar një rezultat që i lë forcat ruse përkohësisht në zotërim të territorit ukrainas. Anëtarësimi në NATO i Ukrainës, duhet të reflektojë konsensus të plotë brenda aleancës. Ndarjet e dukshme në Bukuresht në vitin 2008, i dhanë Putinit mesazhin se NATO nuk do t’i vinte në mbrojtje Ukrainës, duke çuar në pushtimin e një pjese të saj në vitin 2014.

Mbështetja e Ukrainës, nuk është një akt bamirësie. Në rast se Ukraina dhe Perëndimi lëkunden, Rusia mund të ketë sukses në pushtimin e saj. Putin dëshiron të rivendosë perandorinë ruse, një ambicie revanshiste e cila mund ta nxisë atë të pushtojë një vend anëtar të NATO-s. Rezultati do të ishte një luftë direkte me NATO-n dhe SHBA-në, një skenar që nuk duhet ta dëshirojë askush.

Burimi: Wall Street Journal/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Stephen Hadley, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në vitet 2005-2009. Matthew Kroenig, anëtar i Komisionit të Kongresit për Qasjen Strategjike të SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë