Analize

Pesë hapat që çojnë drejt paqes në Lindjen e Mesme

Nga Gazeta 'Si'-Në përgjithësi, por sidomos pas sulmeve terroriste të 7 tetorit të kryera nga Hamasi, në Lindjen e Mesme nuk ka asnjë entitet të vërtetë që të jetë mjaftueshëm mendjemprehtë dhe vizionar për të hartuar një udhërrëfyes të qëndrueshëm, mbi atë që duhet të ndodhë të nesërmen pas përfundimit të luftës aktuale.

I zhytur kokë e këmbë në objektivin e tij më emergjent - ta fitojë këtë luftë dhe të shkatërrojë Hamasin - Izraeli nuk është në dukje i gatshëm që të merret me këtë çështje. Nga këndvështrimi i tij, të folurit për “të nesërmen”, mund t’i bëjë armiqve të Izraelit të nënkuptojnë se Jerusalemi nuk është në fakt i vendosur që t’i shkojë deri në fund misionit për shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe logjistike të Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste brenda Rripit të Gazës.

Ndërkohë një mori vendesh arabe në rajon, gjenden jo pak nën presion nga publiku i tyre për ta kritikuar Izraelin, në një kohë që janë në të njëjtën kohë të kujdesshme në qëndrimet e tyre ndaj Hamasit, por edhe ndaj depërtimit së mundshëm të trazirave në kufijtë e tyre.

Shumica janë në pritje të rezultateve të kësaj lufte. Askush në rajon, as nuk e respekton dhe as nuk dëshiron të shihet në partneritet me një palë humbëse. Sigurisht, asnjë nga vendet arabe nuk “ka nevojë” për një Izrael të dobët me të cilin të bashkëpunojë kundër armiqve të ndërsjellë. Vetëm pas një fitoreje të qartë mbi entitetet terroriste brenda Rripit të Gazës, Izraeli do të konsiderohet sërish një partner i dobishëm, me të cilin duhet rreshtuar bashkarisht kundër Iranit.

Prandaj, në vend se të kenë një qëndrim të guximshëm e të jashtëzakonshëm, vendet arabe preferojnë të qëndrojnë për momentin mënjanë, duke deklaruar se një armëpushim i menjëhershëm është zgjidhja më optimale për trazirat aktuale.

Duke pasur parasysh mungesën e lartpërmendur të entuziazmit nga çdo vend në rajon për të ofruar çfarëdo lloji udhërrëfyesi real dhe jo thjesht deklarativ, mbi mënyrën se si duhet të jetë rajoni pas luftës aktuale, dhe duke pasur parasysh skenarin tejet negativ që kjo e ardhme nuk mund t’i diktohet Izraelit nga askush pa kontributin e rëndësishëm të vetë Jerusalemit, është thelbësore që të hidhen që tani themelet e këtij udhërrëfyesi.

Së pari, Izraeli ka për detyrë shkatërrimin e Hamasit, sa i përket udhëheqjes, aftësive ushtarake, si dhe mekanizmave të tij për të “eksportuar” ideologjinë e vet radikale brenda dhe jashtë Rripit të Gazës. Ndërkohë. edhe Bregu Perëndimor duhet të spastrohet nga grupet e tij terroriste, të cilat vazhdojnë të armatosen, stërviten dhe financohen nga Irani. Po kështu, Hamasi dhe grupet e tjera terroriste palestineze duhet të zhduken edhe nga Libani.

Së dyti, përpara rindërtimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve, kërkohet reformimi i të gjithë sistemit arsimor, si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Bregun Perëndimor. Duhet të marrin fund të gjitha nxitjet për dhunë, indoktrinimet dhe urrejtja.

Kjo përfshin edhe shpërbërjen e UNRWA, e cila në vend se të zbusë vuajtjet e refugjatëve palestinezë, ka bërë pikërisht të kundërtën gjatë 75 viteve të fundit, duke e çimentuar mjerimin, varfërinë dhe indoktrinimin e palestinezëve. Duhet të krijohet një plan-program i ri, ku duhet të mbikëqyret nga faktorë të jashtëm mësimdhënia e lëndëve fetare dhe laike.

Së treti, krahas krijimit dhe miratimit të një sistemi të ri arsimor, si dhe të një mekanizmi mbikëqyrës që do të sigurojë të mos ketë më nxitje të dhunës, mund të nisë edhe rindërtimi aktual i infrastrukturës, burimet e qëndrueshme të të ardhurave si dhe mundësitë e punësimit.

Kjo nënkupton një mënyrë edukimi që ende mund të sjellë shpresë, në vend të më shumë vdekjeve dhe shkatërrimeve për popullin palestinez dhe rajonin në tërësi.

Së katërti, Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës nuk mund të shihen në asnjë mënyrë si një entitet. Potenciali për këtë, u zhduk që ditën që Hamasi vendosi të shpërthejë flluskën e fundit të shpresës të ushqyer nga izraelitët.

Mund të krijohen dy shtete palestineze, të lulëzuara, të begata dhe plotësisht të pavarura, por të paarmatosura. Njëri në Bregun Perëndimor dhe tjetri në Gaza. Kjo do të thotë, se një koalicion prej 4 vendesh perëndimore do ta qeverisin Rripin e Gazës për dekadën e parë dhe do menaxhojnë të gjitha aspektet e tij civile, logjistike dhe ushtarake.

Arsyeja për të pasur 3 ose 4 vende të tilla, në vend të vetëm njërit, që ta qeverisin përkohësisht Rripin, ka të bëjë me reduktimin e peshës së jashtëzakonshme të këtij misioni nga një vend i caktuar. Egjipti, që nuk dëshiron ta marrë përsipër këtë detyrë, pavarësisht se i është ofruar shumë herë në të kaluarën, mund të jetë përfituesi i shumë prej tenderëve që do të bëhen për rindërtimin e tij.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, mund të kenë gjithashtu një vend nderi në tryezën e vendimmarrjes, së bashku me Izraelin dhe 3-4 shtetet perëndimore. Për dekadën e parë, Izraeli do të ketë të drejtën e vetos mbi sigurinë e përgjithshme të Rripit.

Megjithatë siguria e përditshme do të menaxhohet nga fuqitë perëndimore, dhe jo nga vetë Izraeli. Kjo për të treguar se pavarësisht nevojës për të mbrojtur civilët e tij kundër çdo akti të tmerrshëm si ai i 7 tetorit 2023, Izraeli nuk dëshiron as të pushtojë Gazën, dhe as të marrë mbi vete peshën e qeverisjes së palestinezëve në çfarëdolloj mënyre tjetër.

Ideja bazë ka të bëjë me stabilizimin e situatës në Gaza dhe përgatitjen e saj për vetëqeverisje. Pas kësaj “periudhe pastrimi”, e cila mund të zgjasë disa vite dhe madje një dekadë, mund të fillojë të krijohet një udhëheqje e re vendore, jo radikale dhe largpamëse. Familjet drejtuese ekzistuese nuk mund të ngarkohen me këtë mision.

Duhet të kujtojmë gjithashtu edhe grindjet e forta të brendshme që e karakterizojnë ende shoqërinë palestineze në Rripin e Gazës, si kudo tjetër. Mosmarrëveshje që në të kaluarën kanë çuar në gjakderdhje midis vetë palestinezëve.

Së fundmi, por jo pak më pak e rëndësishme, është krijimi i njëkohshëm dhe i menjëhershëm i një koalicioni ndërkombëtar kundër organizatorit të kërdisë aktuale, që po shohim që të gjithë në Lindjen e Mesme, Iranit.

Nëse nuk krijohet menjëherë ky koalicion, atëherë Huthit në Jemen, milicitë iraniane në Irak, ato në Siri, Hezbollahu dhe Hamasi në Liban, Hamasi dhe Xhihadi Islamik në Bregun Perëndimor dhe Hamasi në Gaza, do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe pas luftës. Pavarësisht se sa jetë njerëzish do të humbasin, pa e trajtuar rrënjën e problemit, gjithçka tjetër do të jetë e kotë.

Burimi: Jerusalem Post/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë