Politike

Pesë deputetë të opozitës (pa PD) bëhen bashkë: Kundër listave të mbyllura, shkojmë në zgjedhje me lëvizje të re (emrat)

Pesë deputetë të opozitës kanë dalë në një deklaratë për mediat duke u shprehur kundër listave të mbyllura. Edhe pse Kodi Zgjedhor është miratuar dhe listat tashmë janë fakt, Dashamir Shehi, Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari thonë se do t’i drejtohen popullit. Ata shprehen gjithashtu se çfarë i bashkon me njeri tjetrin.

"Na bashkon një qëndrim i qartë dhe i saktë pa ekuivok në mbështetjen e drejtësisë. Raportet me partnerët strategjikë janë të domosdoshme. Ne që jemi këtu mendojmë që sot opozita por dhe parlamenti është distancuar vite dritë larg nga publiku. Një nga elementet është vota përmes listave të hapura. Është e udhës që sot ti dorëzohet popullit e drejta të vendosë dhe një nga këto është vendimi për të dalë me lista të hapura” tha Alibeaj.

“Nuk është grupim politik. Është një grupim deputetësh opozitarë që duan të rrisin sensibilizimin me atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë” tha Flutura Açka.

Ndërsa Dashamir Shehi dha më shumë detaje. “Ne jemi 5 veta, por si ne mendojnë edhe 15 të tjerë aty. Ne mendojmë ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës për shumë gjëra. Si do të hyjmë në zgjedhje do ta shikojmë rrugës. Do tentojmë të hyjmë me listë të hapur, ky është principi bazë që na bashkon. A do jenë 2, 3 apo 5 parti, do ta shohim. Sot po deklarojmë publikisht se mendojmë ndryshe nga zotërinjtë e tjerë”, tha ai.

Por Shehi tregoi edhe se ku ndahen dhe ku bashkohen me deputetët e tjerë të opozitës.

“Me kolegët e tjerë opozitarë na bashkojnë dy gjëra: lufta kundër kësaj qeverie të korruptuar dhe lufta kundër autokracisë së Edi Ramës. Na ndajnë 3 gjëra të rëndësishme. Na ndan përqasja që kemi për demokracinë, dhe kjo u tregua me marrëveshjen për mbylljen e listave; na ndan raporti që kemi ndaj sistemit të ri të drejtësisë, që edhe ne nuk e quajmë perfekt, por gjithsesi sot për sot është një lloj shprese, për të pastruar një pjesë të ambientit publik; na ndan dhe raporti që kemi me ndërkombëtarët. Na bashkojnë vetëm dy gjëra, që nëse i interpretojmë seriozisht mund të bashkohemi prapë”, shtoi ai.

Për Shehin, sot po nisin rrugën që është malore, por besojnë që kjo është rruga e drejtë.

“Duhet të hapim një shteg të ri politik. E kemi nisur këtë punë duke qenë koshientë për vështirësitë që ka.

Kemi dy opozita, Rithemelimi dhe të tjerët që nuk e mendojmë si ata, pasi na ndajnë këto gjëra që thashë. Ne nuk kemi ftuar askënd. Për momentin jemi këto të pestë, pastaj për ta menduar, gjysma e Parlamentit e mendon si ne" vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë