Gazeta Si – Një 34-vjeçar i akuzuar për mashtrim, u arrestua në Tiranë pas disa denoncimeve, ku persona të ndryshëm deklaruan se u kishte marrë shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet mashtrimit.
Sipas njoftimit zyrtar për mediat, një ditë më parë, policia i bëri shenjë të riut që të ndalonte, por ai nuk u bind dhe në tentativë për t’u larguar, përfundoi duke rënë në Lanë. Tashmë përveç akuzës së mashtrimit, 34-vjeçari përballet edhe me akuzën e kundërshtimit të policisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimeve të marra se një shtetas përvetësonte shuma të konsiderueshme parash me anë të mashtrimit, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përballë përgjegjësisë ligjore dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”. Si rezultat i tij u ndalua shtetasi S. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, – njofton policia.
“Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar shuma të ndryshme parash nga disa shtetas. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por 34-vjeçari nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre dhe ka devijuar rrugën duke rënë në lumin Lana”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.