Biznes

Përurohet Parku Fotovoltaik i Karavastasë

Është përuruar parku më i madh i energjisë diellore në vendin tonë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, ai i Karavastasë, investim i cili pritet të pasohet nga një tjetër park në Spitallë.

E pranishme ishte edhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila bëri të ditur se rreth 10% e volumit të prodhimit në vend i atribuohet energjisë së rinovueshme.

“Viti që kemi përpara fatkeqësisht për ne do të jetë një vit i thatë. Nëse përpara 4 apo 5 vitesh ky ishte një ankth shumë i madh, nuk e kemi si përpara pasi sot 10% e energjisë të prodhuar në vendin tonë vjen nga parqet fotovoltaike”, tha Balluku.

Drejtoresha e BERZH në Shqipëri, Ekaterina Solovova e quajti Shqipërinë si një vend me rëndësi strategjike për të investuar në energjinë e rinovueshme.

“Projekti i Karavastasë është me rëndësi duke vlerësuar standardet e larta teknike dhe mjedisore. Që prej fillimit BERZH e ka mbështetur tranzicionin energjetik në diversifikimin e burimeve energjetike. Shqipëria ka ende rekordin për tarifën më të ulët të energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor duke e vendosur vendin si pikë strategjike për investime në sektorin e energjisë së rinovueshme”, tha Ekaterina Solovova, drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë