Futboll

Përulja e fundit e Arsen Venger

I kundërshtuar fort nga tifozët këtë sezon, Arsene Venger vendosi që të ballafaqohet edhe një herë me ta…për herë të fundit.

Në pasditen me diell në Yorkshire, 22 vite pasi francezi nisi mbretërimin e tij në futbollin anglez, doli nga tuneli dhe ende pa nisur ndeshja iu drejtua 1235 tifozëve “Topçinj” që kishin udhëtuar në stadiumin e Huddersfield. Kërkoi të ndante një moment të fundit me ta.

Kur u afrua, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të tifozëve, ai u përul para tyre.

“Ishte spontane. E di që i kemi zhgënjyer tifozët tanë këtë sezon. Kemi patur edhe mospërputhje të mëdha dhe pakënaqësitë e tyre u i kam pranuar, por kemi një të përbashkët të madhe; ne e duam Arsenalin”, deklaronte Venger pas ndeshjes që përfundoi 0-1 për skuadrën e tij.

Kjo dashuri për ngjyrat e skuadrës u vu në një testim të fortë sezonet e fundit dhe rënia e Arsenalit ishte e pamundur që të anashkalohej nga tifozët, që fajësonin francezin. Deri kur Venger njoftoi dorëheqjen muajin e kaluar pjesa dërrmuese e tifozëve binin në një mendje: Venger duhej të largohej, fakt që ua kujtuan edhe tifozët e Huddersfield, pas gjestit të trajnerit francez. “Ju deshët largimin e tij!”, ngacmuan ata në kor dhe me ironi tifozët miq.

Tani, dëshira e tyre u realizua. Venger është jashtë dhe Arsenali mund të nisë të gdhendë një të ardhme më të suksesshme. Por, klubi duhet të vendosë fillimisht për emrin e pasuesit të francezit dhe në “mullirin” e thashethemeve mediatike në Britani emrat nuk janë të pakët.

Është përmendur Mikel Arteta, 36-vjeçari ish-lojtar i Arsenalit, që dy vitet e fundit është angazhuar si ndihmës i Pep Guardiolas tek Manchester City. Të tjerë kandidatë përfshijnë Massimiliano Allegri që drejton aktualisht Juventusin dhe një tjetër ish-topçi, Patric Viera i Neë York City FC.

Nga emri që do të përzgjidhet do të varet edhe rruga që do të zgjidhet për të ringritur Arsenalin, por sfida do të jetë e njëjtë për të gjithë. Trajneri i ri jo vetëm që duhet të riparojë një skuadër që e mbylli sezonin në vendin e gjashtë të Premier League, me pikët më të pakta të grumbulluara që prej mesit të viteve 1990, por edhe të rikthejë funksional një mjedis në kufijtë e kaotikut që po lë pas largimi i Arsen Venger.

Këto nuk janë sfida për trajnerë mesatarë dhe Venger nuk mund të zëvendësohet me një të tillë. Ai përfaqëson fundin e një epoke dhe një model në menaxhimin e trajnimin e një klubi në Angli, por edhe në gjithë Europën. Ai ishte i fundit trajner-perandor, njeriu që kishte në dorë çdo aspekt të klubit, që nga transfertat, akademia e të gjithë rrugën që do të ndiqej.

Drejtuesit e Arsenalit nisën të përgatisin terrenin për largimin e Venger kohë më parë. Ata ngritën një strukturë që dobësoi autoritetin e Venger deri në fund dhe që mbikëqyrte rekrutimet e reja nga akademia, por edhe transfertat në merkato. Por, përsa kohë Venger ishte aty, edhe vetë roli i kësaj strukture ishte i brishtë.

Ai qëndroi aty aq gjatë, sa u bë pjesë e memories dhe Arsenali pa Venger nuk mund të konceptohej, por as Venger pa Arsenalin. Tani që u largua, klubit i duhet të mbajë barrën e diskutimeve për gjithçka, si të ishte hera e parë dhe dy janë pyetjet që ngrihen. Pas një gjenerate më një menaxher, sa durim do të kenë drejtuesit me trajnerin e ri? Dhe e dyta, si do të qëndiset kontrata për pasuesin e francezit?

Këto pyetje u ngritën mëngjesin e së hënes, sepse të dielën ishte ende koha për të parë pas, për të përshëndetuar e nderuar trashëgiminë e një njeri dhe për mbylljen e një kapitulli në historinë e Arsenalit, historia sjell disa rastësi.

“Topçinjtë” fituan 1-0 në transfertën ndaj Huddersfield, rezultati favorit i tifozëve. Në minutën e 22-të, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë duke duartrokitur për 22 vitet e Venger tek Arsenal. Edhe vetë vendndodhja e ndeshjes së fundit të tij pati një dimenson historik. Hiddersfield është vendlindja e trajneri të parë menaxher, vendlindja e Herber Chapman, që drejtoi këtë klub në vitet 1920.

“Të jem këtu në ditën time të fundit, ka një domethënie të madhe për mua”, tha Venger.

Ajo që pason për Venger është më shumë enigmatike se vetë e ardhmja e Arsenal. Ai vetë shpreson që të trajnojë sërish dhe ofertat nuk i kanë munguar nga e mbarë bota, por ndjehet si në shtëpi në Angli dhe siç një gjeneral i vjetër, edhe ai pushtohet nga dilema sesi do të reagojë pasi është i çliruar nga detyrat?

“Kur përjeton me kaq intensitet dhe për kaq kohë të gjatë një gjë, është e vështirë. Në fund të këtij procesi, nuk mund të hidhem përpjetë e të them që po largohem diku tjetër. Është e pamundur ta bëj”, thotë trajneri francez.

Pikërisht për këtë, Venger e dinte që duhet të shijonte deri në fund ditën e tij të fundit si trajner i Arsenalit në Premier League.

“Përtej rezultateve, mendoj se 22 vitet e mia këtu ishin një aventurë njerëzore së pari. Ta dija, do të kisha deklaruar dorëheqjen çdo javë, sepse njerëzit janë kaq të sjellshëm me mua tani që u tërhoqa”, thotë ai me shaka.

The Wall Street Journal


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë