Ngjarje

Përtej ‘galasë’ së INSTAT me prezantimin e Censusit

Nga Gazeta ‘SI’ - Prezantimi i të dhënave të Censit në një event ‘gala’ nuk u dha përgjigje pyetjeve të ngritura me kohë rreth popullsisë së vendit.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli prezantoi të dhënat paraprake të popullsisë së Shqipërisë por theksoi se këto nuk janë shifrat finale.

Pas fjalimeve institucionale, hapësira për pyetje nxiti debate në sallë.

Ishte fillimisht një banor i Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësues i ambasadës së saj në Shqipëri, i cili kritikoi INSTAT për përdorimin e termit “përkatësi etno-kulturore të RMV” dhe jo maqedonas. Sipas tij, ndryshimi ishte në favor të Greqisë dhe nuk respektonte banorët maqedonas, të cilët në përbërje të tyre nuk i përkasin vetëm RMV-së. Ai theksoi se edhe në dokumenta zyrtare këta banorë cilësohen si “pakica maqedonase”.

Burime për Gazetasi.al treguan se një debat i tillë ka ndodhur edhe në mbledhjet e Eurostat. Shqetësimi i qytetarit nuk mori asnjë përgjigje pasi drejtuesi i konferencës cilësoi si me rëndësi vetëm pyetjet dhe jo “komentet”.

Sipas shifrave, grekët në Shqipëri janë dyfishuar nga 2011-a, ndërsa maqedonasit janë pakësuar.

Ishte pyetja për popullsinë e paanketuar që ‘bllokoi’ panelin e INSTAT dhe përsëri mbeti e paqartë se çfarë do të bëhet me banorët që nuk janë regjistruar.

Sipas drejtoreshës, Dhuli gjatë Censit u mbulua 97% e popullsisë dhe 3% tjetër u mbulua me ndihmë të sistemit gjeografik, GIS, pra edhe ata që nuk janë regjistruar në Cens, janë llogaritur në shifra.

Më tej, ndonëse vetë drejtoresha e INSTAT e quajti dramë rënien e popullsisë, shifrat treguan një rënie jo aq dramatike, 400 mijë në 12 vite.

Instituti i Statistikave e quajti një proces shumë të shpejtë Censin dhe se publikimi u krye në kohë rekord, 7 muaj. Zyrtarisht Censi nisi në tetor të 2023-shit dhe në ditët e fundit të qershorit janë gati vetëm të dhënat paraprake, që përsëri duhet të rishikohen.

INSTAT njoftoi analizë më të thelluar për popullsinë dhe banesat në Shqipëri, që pritet të publikohet në vjeshtë të këtij viti.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë