Shqipëria është një nga vendet me riskun më të lartë ekonomik në periudhën afatshkurtër të rritjes.
BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit, Fitch, ka publikuar pak ditë më parë raportin më të fundit për indeksin e riskut në Europën Juglindore (sa më i ulët indeksi aq më i lartë është rreziku).
Indeksi i BMI’s i rendit vendet në një shkallë nga 0-100, duke marrë në analizë stabilitetin afatshkurtër dhe afatgjatë politik, perspektivën afatshkurtër ekonomike, fuqinë afatgjatë ekonomike dhe barrierat burokratike për të bërë biznes.
Shqipëria renditet pas Kosovës, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi si vendet që kanë riskun më të lartë ekonomik në afatshkurtër. Sipas raportit të BMI Research, indeksi i Shqipërisë është 45.6, i Bosnjë-Hercegovinës 36.5 dhe Kosovës 41.7%. Në rajon parashikimet më pozitive për të ardhmen e afërt i takojnë Maqedonisë, e cila ka indeksin e rsikut 53.3 %.
BMI Research perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë e parashikon me një rritje 3.7% këtë vit, nga 3.9% në 2017-n, duke u ngadalësuar në 3.5% në 2019-n dhe 3.7% në 2020.
Inflacioni parashikohet të mbetet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, rreth 2%. Deficiti i llogarisë korente pritet të përmirësohet, duke zbritur në 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2020-n, nga 6.5% në 2018-n.
Në retrospektivë, në raportin më të hershëm, evidentohej se ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë nga mjedisi i jashëtm më shumë se ç’pritej dhe si rrjedhojë parashikimi për rritjen ekonomike në 2017-ën i Shqipërisë u përditësua.
“Ndërsa përfitimet e jashtme do të dobësohen gjatë 2018-ës , vazhdimi i një politike të lehtë monetare dhe një profil i përmirësuar i riskut politik pas zgjedhjeve të qershorit do të mbështesë investimet dhe konsumin.Rritja ekonomike e Shqipërisë në afatgjatë do të mbështetet nga një infrastrukturë e fort në fushën e gazjellësve.
Çështja e inflacionit do të detyrojë autoritetet të vazhdojnë me një politikë monetare fleksibël, sepse siç pritet rritja e çmimeve do të jetë nën objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë në 18 muajt e ardhshëm.”- citohet në raport.
Gjithashtu vendi do të vazhdojë të mbulojë nevojat për financime të jashtme me investimet e huaja dierkte dhe rezervat valutore.
Gjatë 2018-ës, Indeksi i konsumit të Shqipërisë do të jetë vulnerabël ndaj ndryshimeve përsa i përket ushqimeve dhe çmimit të energjisë në vitet në vazhdim. Rritja e çmimit botëror të energjisë dhe presionet e forta inflacioniste vendase do të shohin përshpejtimin e rritjes së Indeksit të Çmimeve të Konsumit .
Borxhi publik që shënon 72.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016, mes borxheve publike më të larta në vendet në zhvillim në Europë, është rritur që prej 2008-ës nën një politikë fiskale të pasigurt dhe rritjes së dobët ekonomike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.