Gazeta Si – Impakt i jashtëzakonshëm u ‘xhevahirit’ shqiptar në ekipin zikaltër. Kristjan Asllani është alternativa e parë në mesfushë për trajnerin Inzagi, por mund të jetë edhe shumë më shumë.
Një muaj tek Interi dhe ndihet si në shtëpi. Nuk ka më ndroje për lojtarin shqiptar. Asllani është ulur në rresht të parë që në leksionin e parë të trajnerit Simone Inzagi, gati për të përfituar çdo koncept tekniko-taktik.

Mesfushori e ka marrë shumë seriozisht aventurën zikaltër dhe i ka impresionuar të gjithë. Kristjan Asllani e ka pasur ëndërr të vishej zikalëtr, por kjo aventurë duhet përballuar me mentalitetin e duhur. Edhe pse është vetëm 20 vjeç, ai arsyeton si një veteran.
Sjellje profesionisti në stërvitje dhe vullnet për t’u përmirësuar. Sot lojtari kuqezi i ka kaluar hierarkitë. Asllani kaloi tek Interi si zëvendësues natyral i Brozoviçit, por ka treguar se është më shumë se një alternativë. Për teknikë dhe taktikë ai mbulon çdo rol në mesfushë.
Elbasanasi aktualisht është alternativa e parë pas treshes titullare Barela-Brozoviç-Çalhanoglu. Asllani, sipas “Gazzetta dello Sport”, ka lënë pas ekspertin Mkhitarian. Luan në regji, por edhe si trekuartist, ku Inzagi mendon ta futë.

Që Interi kishte parë diçka të veçantë tek Asllani, ishte e qartë që në fillim. Jo rastësisht klubi zikaltër vendosi të investojë menjëherë për ta blerë përfundimisht. Shpenzoi 14 milionë euro plus 2 bonuse.
Ky djalosh me një teknikë shumë të mirë dhe personalitet të pabesueshëm i ka bërë për vete të gjithë tek Interi. Mund të zgjaste ambientimi, por Asllani shënoi që në testin e parë. Shënoi edhe ndaj Monakosë në impenjimin e parë të vërtetë.
Mesfushori shqiptar është plotësisht gati të marrë përgjegjësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




