Gazeta Si – Militantët në Gaza goditën Izraelin me më shumë se 20 raketa, pas vdekjes së një të sheiku të burgosur palestinez, i cili ishte futur në grevë urie në një burg të Izraelit.
Tre punëtorë të huaj u plagosën nga një sulm me raketa, i cili ndodhi pasi tanket izraelite bombarduan Gazën, në përgjigje të një sulmi të mëparshëm raketash.
Ushtria izraelite tha se nisi sulmet në Gaza të martën në mbrëmje. I burgosuri, Khader Adnan, ishte një figurë e lartë e Xhihadit Islamik, i akuzuar për vepra terrorizmi.
Autoritetet izraelite thanë se ai e refuzoi kujdesin mjekësor gjatë grevës së tij 86-ditore.
Por, një nga avokatët e tij i akuzoi ato për neglizhencë, ndërsa kryeministri palestinez e përshkroi vdekjen e tij si “vrasje të qëllimshme”.
Një grup ombrellë që përfaqëson grupet militante në Gaza, përfshirë edhe Xhihadin Islamik, tha se sulmet me raketa janë “një përgjigje fillestare ndaj këtij krimi të urryer”.
Tri raketat e para, të cilat u hodhën disa orë pas njoftimit për vdekjen e Adnanit, ranë në zona të hapura, thanë Forcat e Mbrojtjes në Izrael.
Më vonë, ato thanë se kanë goditur Gazën me “zjarrin e tankeve”, në përgjigje të sulmeve me raketa. Forcat e Mbrojtjes në Izrael thanë se militantët kanë lëshuar edhe 22 raketa të tjera, katër prej të cilave janë kapur nga sistemi i mbrojtjes raketore të Izraelit./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



