Ngjarje

Për’sheshin Skënderbej, me gjithfarë ingredientësh ‘festivë’

Nisur nga ana perendimore e Sheshit "Skënderbej" duke hyrë nga ana e pasme e Bankës së Shqipërisë, ajo çka të bie në sy menjëherë është një bllokadë e lartë prej hekuri, të cilën vetëm pasi e vëren mirë e mirë, kupton që është pjesa e pasme e një loje të madhe të instaluar aty. I përngjet një muri të madh , aspak ndjellës për të kapërcyer në anën tjetër. Aq më tepër që  ngjitur më të ngrihet gardhi i platformave prej hekuri që e rrethojnë sheshin në tërë pjesën e poshtme të tij, nga Banka e Shqipërisë  e deri te Muzeu kombëtar pa asnjë rrugë kalimi. Këtë e vërteton një grua e re e cila shtyn karrocën me foshnjën brenda dhe tenton të gjejë rrugëdalje për në anën tjetër të sheshit . Është e detyruar ti bjerë rreth rrotull . Si impakt i parë kjo anë e tregut festiv nuk i përmbush pritshmëritë e një mirëseardhjeje të ngrohtë. Përkundrazi të ngjan me një ngrehinë prej së cilës arrin të shquash vetëm zhurmë. Por ky është vetëm një këndvështrim prej të cilit sigurisht nuk mund te nxjerrim përfundime. Edhe pse duhej menduar se hyrja për në shesh mundësohet nga shumë rrugë hyrëse dhe mbase secila prej tyre mund të ishte e hapur.

Por le të besojmë se nuk e kanë menduar më gjatë. Tentojmë  të gjejmë  një kthinë diku, qoftë dhe duke kaluar “ilegalisht” përmes kafeneve për të hyrë menjëherë  në shesh. Nxitimi është legjitim dhe kureshtja për të vizituar tregun është e madhe. Por dhe  kjo është e pamundur. Pronarët e kioskave janë marrë vesh mjaft mirë që aty ku ka hapësirë, të mbushet me karrige të stivosura, bombola gazi dhe bidona me ujë. Kjo bllokadë na fton ti biem edhe ne asaj rrugë nga gruaja e re me karrocë kaloi. Duhet të kalosh gëmushat e vogla me shkurre, disa pemë të mbjella në qosh dhe vetëm, pasi ke mbërritur poshtë monumentit të heroit kombëtar kupton se ia ke dale më në fund të shohësh sheshin. Si duket pakti është në shërbim të orientimit të njerëzve  drejt ndonjë hyrjeje më festive dhe sigurisht më dinjitoze.  Mendon se i gjithë sheshi festiv duhet të ketë një strukturë hyrjeje dhe dalje , ashtu siç duhet të ketë çdo treg krishtlindjesh .Por jo,  kjo teori bie kur kupton  se s’ka asnjë hyrje qëndrore dhe që nga do që të sillesh, do hysh në qendër të sheshit nga disa kalime të ngushta mes tezgave, si rrugicat e vetme ku lejohet të kalosh. Por duke qënë se sheshi është i madh, mendojmë se hyrja dhe dalja e individëve është lënë e lirë, por dhe kjo bie poshtë kur mendon se të hysh nga banka kombëtarë është një labirint  më vete

Hedh sytë përreth dhe gjëja e parë që tërheq vëmëndjen nisur dhe nga zhurma që shkakton është boksi mekanik i matjes së grushtit. Të rinjtë  llërë përveshur që marrin vrull ta godasin njëri më fort se tjetri, janë rreshtuar dhe mezi presin t’ia ngjeshin fort.  Ngjitur me të gjendet loja e fatit, me rrathët të cilët rrallë ndonjëhërë qëllojnë të të japin ndonjë shishe shampanjë. Si duket , prandaj dhe aty ka pak njerëz.  Pak më tutje janë dy lodra të mëdha gjigante dhe në mes tyre karuseli ngjyrë rozë që është pjesë e qendrës tashmë çdo ditë. Përpiqem të shquaj një lloj sistemi të të vendosurit të lojëravë apo ndonjë kriter por nuk ia dal. Aty ku ka lodra, ka dhe pije, ka dhe petulla, ka dhe gështenja por edhe fara të zeza. Nis të eksploroj sheshin pak më në qëndër të tij. Përsëritet sërish e njëjta rradhë, petulla, akullore, gështenja dhe makineri të mëdha si në Disney Land të ngjeshura njëra me tjetrën. Pyes dikë nga punonjësit nëse ka rrezik që mekanizmat të ndeshen, por ai më sheh me mospërfillje, sikur e pyes për ndonjë jashtëtokësor. Dhe më kot tentoj ti futem sheshit nga ana e muzeut kombëtar.  Syri nuk ia del të numërojë më dhe as të rrokë njëfarë rradhe sepse në pozicione krejtësisht të paqarta gjenden makineritë e mëdha të lojërave, makinat me gomina që përplasen njëra me tjetrën, pista e patinazht dhe rreth tyre makina të tjera lojërash me dimensione më të vogla. Dhe mu përpara tyre sërish dy tezga  me akullore dhe petulla.  

Vendosja e lodrave në shesh nuk ka një sistem, dhe aq më tepër një tabelë orientuese për turistët dhe vizitorët. Gjithsesi tezgat e vendosura përgjatë rrugës që del nga sheshi drejt bibliotekës kombëtare , duke qënë në rradhë dhe përballë njëra tjetrës, të japin idenë se më në fund kjo anë e sheshit është lehtësisht e aksesueshme. Imazhi i një rregulli së paku i parë nga larg më bën të besoj se gjithçka është përshtatur sipas grupmoshave.  Në fillim gjen tezgën e veshjeve tradicionale shqiptare, pas saj punime të gdhendura në dru, diku pak më tutje një tregtar flamujsh dhe më pas shumicat e tezgave shesin bizhuteri nga Sëaroëski dhe Bulgari, (sigurisht imitime)  dhe lodra kineze. I çuditshëm është  fakti se në një treg krishtlindjesh i cili simbolizon një festë, shiten bizhu fallco dhe lodra kineze të cilat i gjen lehtësisht pak metra më tutje në tregun çam, madje në çdo ditë të vitit. Gjithsesi çeshtje gustosh.  Në tezgën e kostumeve tradicionale, një djalë në moshë të re është strukur diku në cep të saj nga të ftohtët dhe vështron me njëfarë pesimizmi. I pyetur se a ia vlen kostoja e pagesës, në bazë të shitjeve të deritanishme, ai tund kokën dhe me zë të ulët pohon se jo, nuk ia vlen. –Por të shpresojmë çfarë do të ndodhë deri në fund të muajit- shton ai.

Gjithsesi kjo pjesë e tregut së paku është e vendosur mirë dhe me rregull edhe pse produktet që shiten aty nuk kanë asnjë lidhje me festat e fundvitit por as me produkte tradicionale shqiptare, çka mund të ishte një nga tematikat e tregut . Ndërsa kthehesh sërish për të dalë në sheshin e madh ndeshesh sërish me pamjen kaotike. Njerëz që vinë vërdalle dhe fytyra të cilat i shoh për të disatën herë aty rreth e përqark. Por ka një element shtesë të cilin nuk e kisha vënë re. Tymi i petullave të skuqura në vaj i cili përziehet e tymin e qofteve pak më tutje dhe aroma e tyre e cila më shumë se sa të ndjellë , e provokon stomakun. Dhe kjo nuk është pak në një treg Krishtlindjesh ku një ndër qëllimet e tij është dhe ta shtyeje individin drejt nevojave bazike siç është ai i të ushqyerit. Dhe në këtë mori tezgash dhe makinetash, është muzika ajo që nuk gjen derman.  Muzika rap shqip dhe turbo folk kumbon në secilën tezgë krejtësisht e pavarur, duke shkaktuar  zhurmë shurdhuese dhe aspak të këndshme. Vetëm karuseli që ndodhet ngjitur me monumentin e Gjergj Kastriotit dhe që është i palëvzishëm për tërë vitin, duket se nuk e vret mendjen të bëjë muzikë. Ai qëndron stoik dhe i përhershëm në mesin e kësaj zhurmnaje të përkohshme.

Kafenetë si standard i çdo feste dhe çmimet e kripura

Marrim për nga qendra e sheshit aty ku kafenetë janë vendosur në formë rrethi dhe në mes tyre ndriçon hijshëm bredhi i madh i festës. Kalojmë përmes një ngushtice mes karrigeve dhe i afrohemi pemës së madhe.  Ajo është vendosur bash aty ku në ditë normale, spikama e sheshit vihet re nga të gjithë. Është ajo spikamë që i jep sheshit formën e piramidës e cila gjatë ndërtimit u tha se do t’i jepte individit, dimensionin e zotëruesit. Por tashmë atë dimension e ka zënë pema e madhe e mbushur me drita, ku përreth saj në ndryshim nga vitet e tjera qëndrojnë në një distancë të barazlarguar edhe pesë pemë të tjera të madhësive më të vogla. Dhe duke menduar risitë e këtij viti kupton që e vetmja risi janë këto pemë shtatshkurtëra të vendosura përreth pemës mëmë. E  meqë jemi te risitë, sheshi festiv prej vitesh është “fotokopje” e vetes. Ajo që ndryshon janë vetëm logot e bizneseve dhe kafeneve që  e rrethojnë atë. Janë bizneset dhe kafenetë më në zë në Tiranë.  Edhe kjo si duket e ka një shpjegim. Një prej kamarierëve  pohon se për një muaj  paguhen 10 deri në 15 mijë euro qera, Domosdo kjo shpjegon dhe çmimet e larta që ua ngjeshin klientëve për produkte krejt normale.  

Dy vajza të reja pak më tutje të cilat punojnë si hoster të lokalit tjetër, pohojnë se puna e tyre në terren ka frytet e veta. Duke qeshur, ajo më e reja  thotë se grupet e çunave që kalojnë këtu dhe na shohin e kanë të pamundur të mos ulen sapo tu flasim , dhe shton në zhargon duke qeshur – I këpusim direkt-.  Një i moshuar që kalon rastësisht me biçikletën e tij, edhe pse në pamje të parë jo entuziast, thotë se tregu është i nevojshëm dhe i sjell gëzim qytetit. Pra , shumica e atyre që pyeten në një formë apo në një tjetër shprehin njëfarë gëzimi për ekzistencën e këtij tregu krishtlindjesh në mes të Tiranës. Por siç e cekëm më lart është e vërtetë që tregu ofron gjithçka, që nga petullat e qoftet e deri te koktejlet e farat e zeza. Por është një “ gjithçka” që ne e gjejmë në çdo cep të Tiranës, 365 ditë të vitit. Nuk ka një risi apo një tematikë prej ku ndërtohet sktruktura e tregut festiv dhe ku sublimon socialen dhe bashkëveprimin.  Ku mbase në qendër të tij të ishin disa produkte vendase, ndoshta ndonjë tezgë ku mund të shitej djathë dhie por dhe të shoqërohej me pak verë Kallmeti. Ndoshta ca libra të autorëve shqiptarë ku edhe autori vetë mund të ishte prezent. Ndoshta disa kostume popullore apo një tezge ku paraqet xhubletën , një nga veshjet tona tradicionale e cila u pranua dhe në UNESCO si pasuri materiale e rrallë. Kjo do të përbëntë kuriozitet edhe për vizitorët e huaj të cilët nuk janë të pakët në shesh pasi përreth mund të dëgjosh plot të huaj që flasin në gjuhën e tyre.

Këtë na e pohon dhe Luli, një nga punëtorët e sheshit i cili thotë se është viti i shtatë që ai është pjesë e tregut festiv. -Në Shqipëri s’ka mbetur këmbë robi- na thotë ai. Dhe shton se nga viti në vit njerëzit janë rralluar, s’ka më punë. Vetëm të huajt që vijnë dhe shtohen dita e ditës. Edhe çmimet shton Luli, i kemi rritur shumë ngaqë po mendojmë për të huajt tashmë. Dhe kur pyetet se sa kushton një xhiro në varkën e madhe lëkundëse, ai përgjigjet -  4 mijë lekë të vjetra , për 6 minuta lojë. Shumë , shumë- persërit po vetë ai.

Sidoqoftë përtej çmimeve të shtrenjta dhe kaosit të madh, ngjan se njerëzve u ngjall kërshëri ky treg festiv.  Ndoshta për faktin se ky model u është ofruar gjithmonë por edhe mbase nga dëshira që së paku për një muaj të shkëputen nga rutina e një jetë të rëndomtë. Por e vërteta është se sheshi nuk ofron një strukturë bashkëveprimi social por as estetik. Përkundrazi na ofron pamjen e muzeut kombëtar dhe të teatrit të operave si background i tymit të petullave dhe qofteve. Në një shesh i konceptuar si bërthama e Shqipërisë por dhe qendra e individit të sotëm, ky lloj amalgamimi ngjan aestetik deri në bajatizim.   Sheshi i ndërtuar ti përkasë individit si zotërues i hapësirës, mbetet vetëm një imazh. Atë çka përgjate  të gjthë vitit e rrethojnë kullat, në kohë festash e zaptojnë kioskat dhe zhurma. Por mbase në këto kohë ikjesh dhe zbrazëtie edhe zhurma i ndjell qytetarët drejt një hapësire me njerëz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë