Nga Gazeta Si - Afrimi i sportistëve të huaj pranë federatave shqiptare të sporteve të ndryshme, duke përfshirë edhe fituesit e dy medaljeve olimpike, të parat në historinë e sportit tonë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev veç falenderimit ndaj sportistëve në fjalë, kanë ndezur edhe një debat të madh.
Çfarë i sjellin ata sportit tonë, cila është e ardhmja e sportit duke marrë sportistë të gatshëm dhe arsyeja se përse ata zgjodhën të garojnë nën ngjyrat kuqezi?!
Për kushtet tona të mira, nivelin e lartë të trajnimit, shmangies së pezullimit të Rusisë nga aktivitetet ndërkombëtare sportive, vendit që garonin dikur, apo për shpërblimet relativisht të larta që kemi ne për medaljet?
Gazeta "SI" ka hulumtuar për të zbuluar përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Pak më tepër se dy vite më parë, që përkon me fillimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, Federata Shqiptare e Mundjes rekrutoi dy sportistët me origjinë çeçene por që kanë garuar dhe fituar për Rusinë deri tituj botërorë, Islam Dudaev dhe sportisti Zelikhan Abakarov.
Të dy sportistët janë kampionë në vendin e tyre Çeçeni, apo edhe Rusi, ku Abakarov ka dalë edhe kampion bote në ngjyrat e flamurit rus.
Fakti që sportistët që garojnë nën ngjyrat e flamurit rus nuk lejohen të marrin pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, i kanë shndërruar federatat sportive ruse në një “treg” për shtetet e ndryshme për të huazuar sportistë, sigurisht sa më të mëdha janë shtetet që peshkojnë, aq më i lartë niveli i sportistëve që marrin, por arsyet janë nga më të ndryshmet.
Ka vende të cilat sportet si mundja, peshëngritja dhe kategori të tilla që Rusia i ka traditë, nuk i kanë pasur në mozaikun e tyre dhe mundohen t’i plotësojnë, por ka edhe vende si ne, që i kemi çuar në zero këto lloj sportesh edhe pse dikur të traditës, dhe i joshim me aspektet financiare.
Kujtojmë që në Rusi ka rreth 50.000 mundës dhe jo të gjithë mund të jenë pjesë e kombëtares dhe pjesëmarrës në aktivitete si Botërori apo Europiani, apo aq më pak Olimpiada, këtë mundësi ja japim ne.
Le të shkojmë tek aspekti financiar sepse ai është shumë më i rëndësishëm se një palestër me një tapet mundje, që ne mund ta kemi rregulluar këto kohë.
Në këto më shumë se dy vite Islam Dudaev dhe Zelimkhan Abakarov i kanë dhënë Shqipërisë 10 medalje Botërore, Europiane, apo edhe Mesdhetare dhe për të gjitha këto kanë përfituar mbi 35 milionë lekë (13.8 milionë për Islam Dudaev dhe 22 milionë për Zelimkhan Abakarov). Sa për paralelizëm, në Shqipëri buxheti i sportit është rreth 1 milionë euro, që do të thotë se vetëm për ta është shpenzuar sa rreth 1/3 e buxhetit.
Ndërkohë kësaj shifre, tani pas Olimpiadës së Parisit, ku Islam Dudaev dhe Chermen Valiev i dhuruan vendit tonë arritjen historike të fitimit të një medaljeje Olimpike, do të përfitojnë secili nga 5 milion lekë, aq sa shpërblehet medalje e bronztë. Ndërkaq mësohet se kryetari i bashkisë së Tiranës i ka premtuar edhe nga një shtëpi, por kjo nuk është pjesë e detyrueshme e përcaktuar me ligj.
Kështu në total në këto rreth 3 vite, me 3 mundësat e huaj, shteti jonë i shpërblyer arritjet e tyre me 45 milion lekë, një shifër që ata në ish-shtetin që garonin, Rusinë, nuk e arrinin edhe sikur të fitonin nga një medalje Botërore të artë, çdo vit.
Në Rusi një kampion Europe shpërblehet me 5000 dollarë medalja e artë dhe 10.000 dollarë medalja e artë e Botërorit, llogaritë besojmë janë të thjesht për t’i bërë.
Kështu që mund të themi se konkluzioni është i thjeshtë, Shqipëria i ofroi atyre mundësinë për të marrë pjesë dhe për të pasur një të ardhme më të mirë edhe financiare, sa për kushtet, apo nivelin e lartë të trajningut, mund të themi se janë pjesë e një propagande që s’ka lidhje me sportin, pasi asnjëri nga sportistët nuk qëndron në Shqipëri më tepër se sa disa javë brenda një viti.
Pjesën më të madhe të vitit, ata e kalojnë në shtëpitë e tyre, stërviten me trajnerët e tyre dhe qëndrojnë gjatë gjithë kohës në lëvizje pasi me pasaportën e një shteti tjetër, si ajo shqiptarja, ata mund të “gjuajnë” çdo aktivitet ndërkombëtarë për të marrë pjesë, për të fituar dhe për tu shpërblyer, ndryshe nëse do të kishin një pasaportë Ruse, ku i duhej të luftonin shumë brenda vendit për të qenë mes të parëve, që ta përfaqësonin ata Rusinë, por me 50.000 konkurrentë, duket pak e vështirë. Këtu e kanë më thjeshtë, më mirë dhe shumë më me leverdi!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.