Politike

Përse u “vetëpërjashtua” Kosova nga Shengeni Ballkanik?

Kosova është vendi i vetëm në rajon që po qëndron larg mini-Shengenit Ballkanik, pavarësisht mbështetjes së kryeministrit Edi Rama për këtë nismë i cili pas takimit me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Zoran Zaev, në Ohër, tha se " Prishtina u vetëpërjashtua".

Megjithatë, udhëheqësit politikë në Kosovë nuk e kanë kursyer revoltën, duke e cilësuar mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Zyrtarët në Prishtinë janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.

I pari që reagoi ashpër ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili jo vetëm refuzoi të merrte pjesë në samitin e Ohrit, por edhe kritikoi kryeministrin Rama për pjesëmarrjen në një nismë ku Kosovës nuk njihet si shtet.

Thaçi deklaron Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë perspektivën e saj Euro-Atlantike me ndonjë iniciativë rajonale. Ai gjithashtu tha se në samitin e parë të kësaj nisme ajonale, Serbia e anashkaloi me qëllim Kosovën.

“Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë përderisa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.Vetëm kur të ndodhë kjo ne do të bëhemi pjesë e nismave të tilla rajonale si një shtet i barabartë", ka shkruar Thaçi.

Edi Rama me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Zoran Zaev. Gazeta Si, 2019

Por një reagim edhe më i ashpër ka ardhur sot edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Mini-shengenit i con vendet e Ballkanit Perëndimor nga në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.

Sipas tij, këto janë manovrime të Serbisë për të bërë bisht detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova kurrsesi”, ka shkruar ai. Sipas Mustafës, projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë gatuar në kuzhinën e ish-Jugosllavisë.

“Në shikim të parë këto duken projekte atraktive, por nuk duhet të harrrojmë se çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së”, thotë kreu i LDK-së.

Kryeministri Edi Rama dhe Hashim Thaci, Gazeta Si, 2019

Sipas tij, marrëveshja Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi.

“Marrëveshjet e tilla cojnë në një situatë kur Serbia do të mbledhë pjesën më të madhe të tatimeve në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën, në emër të Kosovën, sepse kemi kufirin me te gjatë më të. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje”, thotë ai.

Edhe kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila pritet të formojë qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin, ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama për pjesëmarrjen në këtë iniciativë.

Disa javë më parë, ajo e ka cilësuar “fatkeqe” idenë e mini-Schengenit Ballkanik të kryeministrit Rama, presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Zoran Zaev.

“Mendoj se është një fatkeqësi që një gjë e tillë ka ndodhur. Nuk e di nëse kryeministri Rama është konsultuar me dikë në Kosovë para se të arrijë një marrëveshje të tillë, por është totalisht e gabuar ”, ka thënë Osmani.

Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin Rama duke thënë se Shqipëria nuk duhet t’i bashkohej kurrë kësaj nisme pa Kosovën.

“Përtej kësaj, ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht e gabuar që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, ka thënë Osmani.

Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani. Gazeta Si, 2019

Por as kryeministri i ardhshëm i Kosovës nuk ka pranuar të mbështesë idenë e “Mini-Shengenit Ballkanik. Nga një festë me të rinjtë e Vetëvendosjes në Tiranë, Kurti tha se duhet të jemi të kujdesshëm me Serbinë, pasi kjo e fundit para tre vitesh ka tentuar një puç bashkë me Rusinë.

“ Është në interes të Serbisë që të duket sa më normale ndërkohë që nuk është”, u shpreh ai.

Kurti tha se përpara se të hidhen të tilla ide për bashkëpunimin me Serbinë, do të ishte më mirë një bashkëpunim edhe më i fuqishëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në atë që quhet Mini-Shengen Ballkanik nuk janë të përfshira Kosova, Mali i zi dhe Bosnja. Unë besoj se ajo që është më e rëndësishme është bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ne duhet ta dyfishojmë bashkëpunimin, të kemi komision të përbashkët qeveritar për politikë të jashtme dhe të kemi politikë të përbashkët për mbrojtje dhe siguri, se nëse na sulmojnë, do ta sulmonin bashkërisht”, u shpreh ai.

Kur Kosova vendosi tarifën doganore 100% ndaj mallrave serbe, Shqipëria rezultoi një nga përfitueset e mëdha. Vetëm katër muajt e parë që pas vendosjes së taksës, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës u rritën me tre miliardë lekë më shumë.

Në kohën që taksa është ende në fuqi, mundet që marrëveshja me Serbinë të krijojë një kanal të ri tregtie, e cila mund të zhvlerësojë “embargon kosovare”.

Edi Rama dhe Albin Kurti, Gazeta Si, 2019

Tarifat në thelb ishin politike dhe erdhën edhe si presion për njohjen e Kosovës. Gjatë konferencës në Novi Sad, kryeministri Rama deklaroi se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën, por kjo do kohë për t’u vërtetuar.

Edhe analistët në Prishtinë janë të bindur se Serbia është e vetmja që përfiton nga ky projekt, pasi do të ofronte anëtarësimin në BE në vitin 2025. “Si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: “Në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt dhe Serbisë do t’i përshpejtohej hyrja”, shkruan analisti kosovar Veton Surroi.

Ai dënon kryeministrin shqiptar që i bashkohet një iniciative të tillë me Serbinë kur nuk ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar tregtinë e lirë më Kosovën.

“Kryeministrit Rama ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk ka asnjë ndërmarrës nga Shqipëria dhe Kosova që do të konsiderojë se mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Nëse nuk e bënka mes Shqipërisë e Kosovës, si e bënka mes Shqipërisë e Serbisë?”, pyet Surroi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë