Vetëdorëzimi i “Eskobarit të Ballkanit ” nuk ka kaluar pa gjurmë në mediat italiane. “Corriere della Sera ka shkruar së fundmi një artikull duke analizuar jo vetëm rrugët që Balili ndiqte për transportimin e marihuanës, por edhe arsyet e dorëzimit të tij të papritur.
Sipas gazetarëve pjesa më interesante fillon tani që Balili i është dorëzuar investiguesve shqiptarë. Ata theksojnë se ish-drejtori i transporteve fsheh tanimë sekrete tronditëse jo vetëm për botën e krimit por edhe atë të politikës.
48 vjeçari, u dorëzua në Komisariatin e Delvinës, drejtpërdrejt tek shefi i policisë Ardi Veliu, pas tre muaj bisedimesh. Krimineli i shumë kërkuar kishte vetëm dy kushte, të mos dhunohej gjatë transferimit në burg dhe që policia të mos e shiste dorëzimin e tij si meritë, një kusht që u shkel sapo ai ra në dorën e policisë.

Arsyet për dorëzimin e tij
Një ekspert i antidrogës, funksionar i Policisë financiare italiane, emri i të cilit mbetet anonim, shprehet për Corriere della Sera se “kush i dorëzohet policisë e bën për dy ose tre motive; nga frika se mos e vrasin e është i detyruar të kërkojë ndihmën e policisë; sepse i janë shkatërruar të gjitha mbrojtjet që ka pasur deri në atë moment, mbrojtje institucionale, nga kriminelët etj e mes qelisë dhe arkivolit, zgjedh qelinë”, thekson ai.

“Por mund të jetë dhe një skenar i tretë; me këtë gjest kërkon t’i dërgojë një mesazh bashkëpunëtorëve të biznesit të tij; kujdes se momenti është mjaft delikat, qëndroni të fshehur sa të mundeni e ngadalësoni trafikun e drogës pasi i kemi të gjithë pas…”
Rrugët e trafikut
Sipas gazetës italiane, destinacioni kryesor i drogës së ngarkuar nga Balili ishte Italia, edhe pse operacionet e tij shtriheshin në shumë vende të botës. Sipas Guardia di Finanza, e cila kishte hetuar për prejardhjen e shumë prej ngarkesave të bandës së Balilit, destinacioni i tyre ishte Milano. Hetuesit ishin të sigurt se e pas kuintalëve ishte ai, Balili, “Eskobari” i arratisur në Greqi.
“Corriere della Sera” thotë se ai kishte dhjetëra apartamente të cilat i përdorte si baza dhe depozita për të fshehur drogën. Gazeta italiane e përshkruan Balilin si një njeri të pasionuar pas udhëtimeve, shëtitjet në qytet dhe në veçanti shëtitjet në Romë dhe Milano.
Rruga e ndjekur nga Balili për transportin e drogës fillonte nga brigjet e Greqisë, për të vazhduar më pas drejt Italisë dhe pastaj në Milano, një qytet i frekuentuar gjerësisht nga Balili. Sipas Guardia di Finanza “Eskobari i Ballkanit” kishte në dispozicion në një “rrjet” të gjerë punonjësish në Lombardinë për shpërndarjen e marihuanës, me zona që kontrolloheshin drejtpërdrejt nga ai, veçanërisht në provincën e Pavia por edhe Abbiategrasso dhe rrethinat e saj.

Përshkallëzimi i situatës
Në vitet nëntëdhjetë, bandat shqiptare u bënë të njohura për shfrytëzimin e prostitucionit, por me kalimin e kohës, ata filluan të investonin tek trafiku i drogës, kryesisht, marihuana. Gazeta italiane thekson se në pesë vitet e fundit, bandat shqiptare janë përfshirë në trafikimin e kokainës dhe kanë forcuar aleancat me’ Ndragetën, e cila ka mundësuar shqiptarëve lidhjet e drejtpërdrejta me kolumbianët.

Një nga format më të zakonshme të pagesës bazohet në shkëmbimin e lëndëve narkotike, të tilla si blerja e kokainës duke shitur marihuanë apo, si me turqit, shkëmbimi i heroinës me marihuanën. Por sipas gazetës italiane, Balili ishte një “yll në rritje”, falë mbrojtjes politike në Tiranë dhe mbështetjes së bandave italianen Milano.
Për “Corriere della Serra”,Klement Balili është një kriminel klasik shqiptar që nisi aktivitetin e tij në Milano e në të gjithë Italinë, duke sjell vajza shpesh minorene për trafik prostitucioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



