Analize

Pse iku arkitekti i Marrëveshjes së Prespës

Dorëheqja e Ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias të mërkurën ishte aq e papritur sa kryeministri Alexis Tsipras nuk kishte menduar asnjë zëvendësim të mundshëm. Në një lëvizje të rrallë politike, ai vendosi të marrë vetë në dorë portofolin e politikës së jashtme greke.

Dorëheqja erdhi pas një mbledhjeje të zjarrtë kabineti, gjatë së cilës Kotzias kritikoi ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, pasi ky i fundit hodhi poshtë Marrëveshjen  e Prespës ,mes Greqisë dhe Maqedonisë, duke paraqitur madje edhe një “plan B " për një pakt të dytë me Shkupin. Si arkitekti i Marrëveshjes së Prespës,  Kotzias braktisi mbledhjen  dhe kërkoi të takohej me Presidentin Prokopis Pavlopoos, me të cilin pati një diskutim prej një orë e gjysmë. Largimi i tij zbuloi se kryeministri Tsipras nuk i beson asnjë prej njerëzve që e rrethojnë, aq sa për t’i lënë në dorë marrëveshjen e emrit me Maqedoninë.  Duke njoftuar se do të marrë përsipër portfolion e punëve të jashtme, Tsipras ia bëri të qartë  Kammenos  se nuk do të tolerojë asnjë bisedë të dyfishtë apo axhenda personale nga ana e ministrave, Ai dërgoi gjithashtu një mesazh të rëndësishëm në Shkup, duke theksuar se mbështetjen e tij të patundur për marrëveshjen e  Prespës edhe pse dorëheqja e “arkitektit” të saj shkaktoi një bllokadë të madhe në përpjekjet e ethshme të kryeministrit të Maqedonisë për për të kaluar në parlament ndryshimet kushtetuese.

Kotzias thuhet se u inatos nga vendimi i Tsipras për të mbajtur një distancë të barabartë nga dy ministrat e tij, edhe pse Kotzias ai që kishte ndërmarrë për muaj me radhë negociatat e  vështira që çuan në arritjen e marrëveshjes së Prespës.  Ish-ministri i Jashtëm grek beson se pa punëne tij, marrëveshjen e Prespës nuk do të ishte arritur kurrë. Sipas mediave greke, ai konsideron këtë pakt si një nga triumfet e tij më të mëdha diplomatike. Ministri ishte shumë krenar për politikën e tij "shumëpalëshe", duke deklaruar herë pas herë se ai dhe Tspipras kishin arritur të zgjidhnin një problem 27-vjeçar. Ai hodhi poshtë kritikat se i dha qeverisë së Shkupit të drejtën për të folur për një "gjuhë maqedonase" edhe pse këto akuza bënë që të paktën 60 për qind të grekëve që të dilnin kundër tij.

Niko Kotzias dhe Pamos Kammenos 

Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos solli edhe njëherë në vëmendje shprehjen e famshme të ish-kryeministrit Andreas Papandreu: “Kush nuk mund të durojë duhet të zbresë nga treni". Kjo deklaratë e fuqishme sugjeron se Tsipras e kishte marrë tashmë vendimin e tij për të sakrifikuar Kotzias në mënyrë që të shpëtonte koalicionin e tij me Kammenos. Ministri i Mbrojtjes propozoi ngritjen e tre bazave të reja ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Greqi dhe një plan alternativ për pranimin e Maqedonisë në NATO, pa ndryshuar emrin e ish-Republikës Jugosllave. Argumenti i tij ishte se marrëveshja e emrit nuk do të kalonte në parlamentin e Shkupit dhe me shumë gjasa Kuvendi grek nuk do ta ratifikonte, sepse partia e tij, e cila është edhe pjesë e koalicionit qeveritar (ANEL) është kundër marrëveshjes.

Deklaratat e ministrit të mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara zemëruan shumë deputetë të Sirizës. Disa ministra kritikuan Kammenos dhe,në mënyrë indirekte, i kërkuan Tsipras që ta largonte nga posti. Kotzias e sulmoi drejtpërsëdrejti duke e akuzuar për promovimin e agjendës së tij politike dhe duke deklaruar se veprimet e tij si ministër i jashtëm kishin dëmtuar qeverinë greke.  Ai e akuzoi gjithashtu se po përpiqej të sabotonte marrëveshjen e Prespës.

Kush ishte Nikos Kotzias

Ish-ministri i Jashtëm grek është një personalitet mjaft unik. Ai kishte marrëdhënie të tensionuara, jo vetëm me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos dhe zyrtarët e opozitës, por edhe me njerëzit brenda qeverisë, madje edhe brenda zyrës së kryeministrit.

Me njohuri të thella në pothuajse të gjitha çështjet e politikës së jashtme, ai nxiti një politikë mjaft aktive dhe mendjehapur për një vend si Greqia. Ai guxoi të kërkonte zgjidhje për problemet kronike, përjetësimi i të cilave nuk është as në dobi të Greqisë as në dobi të fqinjëve, përfshirë këtu edhe vendin tonë. Kotzias u përpoq të promovonte skemat e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar me disa vende, përfshirë Izraelin dhe Egjiptin, si dhe pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit.

Niko Kotizias

Ai u përpoq të mbyllte çështjet e prej lëna prej kohësh pas dore, siç janë marrëdhëniet me Turqinë, me Maqedoninë dhe ato me Shqipërinë. Kotzias tregoi një temperament të fortë, dhe pozicionet e tij shkaktuan shpesh reagime të forta publike, të cilat nuk e ndihmuan të arrinte konsensusin me opozitën, sidomos me nacionalistët e Demokracisë së Re.

Largimi i tij vjen në një kohë shumë të ndjeshme për rajonin. Kalimi i ndryshimeve kushtetuese në parlamentin maqedonas mbetet i pasigurt. Përfundimi i marrëveshjes me Shqipërinë për të zgjidhur çështjet e kufirit detar u la gjithashtu në pritje. Ankaraja është duke u përpjekur të “shtijë në dorë” zonën ekskluzive ekonomike të Qipros dhe po planifikon kërkime naftë në pothuajse të gjithë Mesdheun Lindor. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet me Rusinë mbeten në errësirë.

Përsa u përket marrëdhënieve greko-amerikane, ish-ministri po planifikonte mbajtjen e dialogut strategjik me homologun e tij amerikan Mike Pompeo në Uashington, në dhjetor. Por tani duket se marrëdhëniet e Athinës me Shtetet e Bashkuara do të trajtohen nga vetë Alexis Tsipras. Vendimi i kryeministrit për të udhëhequr ministrinë e jashtme ,siç bëri kryeministri i ndjerë Konstantinos Mitsotakis në vitin 1992, pas heqjes së Antonis Samaras, do të thotë se ai do të marrë meritat dhe barrën për ndonjë sukses dhe dështim që e pret gjatë muajve të ardhshëm.

Askush nuk e di se cili do të jetë veprimi i ardhshëm i Kotzias si kreu i lëvizjes Pratto, e cila përfshin dy deputetë të tjerë, Nikos Toskas dhe Gjeorgjia Gennia, të cilët janë aleatë  të Sirizës. Ndoshta ai mund të hakmerret duke krijuar probleme për qeverinë, madje edhe të kërcënojë shumicën e saj parlamentare.

Burimet: "Grek Reporter", "Ekathimerini" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë