Analize

Pse Trump s’i tërhoqi trupat nga Kosova?

Edhe pse kishte kërcënuar prej kohësh tërheqjen e tyre, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se ushtarët amerikanë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë.

Në një kthesë të fuqishme, Trump ka njoftuar zyrtarisht kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidentin e përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, se forcat e Shteteve të Bashkuara do ta vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Vetëm disa muaj më parë, këshilltari i tij i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, dhe djali i tij, Donald Trump Jr, deklaruan se forcat amerikane duhet të largohen nga Kosova. Këto kërcënime mësohet se u rritën gjatë qeverisjes së Albin Kurti, duke alarmuar qytetarët dhe aktorët politikë. Por ardhja në pushtet e qeverisë së re, të udhëhequr nga LDK-ja dhe heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë, duket se ka ulur ndjeshëm tensionet.

Përmes një letre drejtuar këtyre dy zyrtarëve të lartë, Trumpi njoftoi sot qëndrimin e forcave amerikane si pjesë e KFOR-it, për të mbajtur sipas tij nën kontroll armiqësinë me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare, për të shmangur armiqësitë e ripërtërira Kosovë”, thuhet ndër tjera në letrën e Trumpit. Ai ka përmendur se aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë janë të angazhuar 640 ushtarë amerikanë, nga 4,000 trupa në total.

Presidenti amerikan Donald Trump, Gazeta Si, 2020

Deklarata e Trump vjen vetëm një muaj pasi dy senatorë amerikanë, David Perdue dhe Rand Paul patën thënë se SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë. Por edhe pse kërcënimet ishin të ashpra, një sërë ekspertësh këmbëngulë në atë kohë se tërheqja e trupave ishte thjesht një mjet presioni ndaj qeverisë Kurti dhe se SHBA nuk po e konsideronte seriozisht largimin e tyre

Prezenca ushtarake amerikane ka qene thelbësore për ruajtjen e paqes në Kosovë, si dhe një lloj garancie për mbrojtjen nga agresioni serb. Mbajtja e 4 mijë trupave në Kosovë i shërben jo vetëm Prishtinës, por edhe interesave strategjike e ushtarake të SHBA-së. Nga Kosova, avionët amerikanë mund të arrijnë brenda pak minutash të gjithë Europën Juglindore, deri në kufi me Rusinë.

Investimi më i vyer ushtarak i SHBA-së në Kosovë është në fakt baza e Bondsteel, e cila u hap 15 vjet më parë në kohën e Xhorxh W. Bush.

Kampi amerikan u ndërtua për të strehuar forcat paqeruajtëse amerikane pak pasi Kosova u çlirua nga Serbia në vitin 1999. Baza mund të mbajë deri në 7000 ushtarë dhe punëson tani për tani qindra banorë të zonës.

Por edhe pse mirëmbajtja e bazës i kushton SHBA-së qindra milionë dollarë dhe situata në Kosovë është normalizuar, Trump nuk ka dhënë asnjë sinjal deri më tani për mbylljen e saj në Ferizaj.

Baza e Bonsteel, Gazeta Si, 2020

Pozicioni i kampit e bën Bondsteel vendin më të rëndësishëm ushtarak të SHBA-së në Europë. Të gjitha pikat e rëndësishme strategjike të rajonit janë të aksesueshme nga kampi: kontigjenti ushtarak i SHBA –së në Maqedoni dhe Bosnje, baza ushtarake amerikane në Itali dhe baza ajorore Incirllik në Turqi.

Bondsteel ka një pozicion ideal edhe për vendet fqinje të NATO-s, të cilat, në rast konflikti mund të fluturojnë për t’u pajisur me municione dhe përforcime brenda disa orësh.

Fillimisht qëllimi i vendosjes së kësaj baze, ishte normalizimi i gjendjes në Kosovë, por me kalimin e kohës ky mision duket se ka pësuar një sërë ndryshimesh.

“Misioni ynë në Kosovë është i dyfishtë- shprehej para dy vitesh për mediat amerikane, koloneli Vernon H. Simpson, i cili komandonte një njësi të Gardës Kombëtare të Karolinës – Njëra është ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe pjesa e dytë është liria e lëvizjes. Misioni ynë është të shërbejmë si palë e tretë përgjegjëse, prapa institucioneve legjitime të Kosovës”.

Largimi nga Kosova dhe mbyllja e Bondsteel bie në kundërshtim me strategjinë e qeverisë amerikane për të ruajtur një prezencë ushtarake në rajon. Madje në vizitën e tij të fundit në Ballkan, senatori i ndjerë amerikan John Mccain tha se “gjithçka që po ndodh në Europën Lindore dhe Ballkan është me rëndësi vitale për sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

Duke pasur parasysh përfshirjen gjithnjë e më të madhe të Rusisë dhe fuqive të tjera në rajon, është më se normale që SHBA-ja të dojë të mbajë prezencën e saj ushtarake në rajon. Trupat dhe baza në Kosovë është alternativa më e mirë për SHBA-në: një investim miliona dollarësh, i pozicionuar në një pikë strategjike për rajonin.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë