Mjedis

Përse po u bie kambanave për Shqipërinë Leonardo Di Caprio?

Luma Vjosa nuk është më një çështje kombëtare dhe për këtë duhet të falenderojmë Leonardo Di Caprion. Pas shumë protestave nga banorët dhe shoqëria civile në Shqipëri, aktorii çmimit Oskar ka ngritur alarmin ndërkombëtar se qevera shqiptare planifikon të shkatërrojë lumin e fundit të gjelbër në Europë.

Aktori i famshëm Hollivudian u ka “rënë kambanave” për mbrojtjen e Vjosës, lumi më i madh në Shqipërinë Jugore.

"Qeveria shqiptare ka vendosur në lëvizje planet për të dëmtuar Vjosën, për të gjeneruar energji elektrike të nevojshme për një nga vendet më të varfëra të Evropës, me qëllimin për të ndërtuar tetë diga përgjatë lumit kryesor. Digat bllokojnë rrjedhën natyrale të ujit dhe sedimenteve. Ata gjithashtu mund të ndryshojnë kiminë e ujit dhe të bëjnë që algat toksike të rriten. Lumenjtë janë një pjesë thelbësore e ciklit global të ujit. Ato veprojnë si arteriet e natyrës, duke mbajtur energji dhe lëndë ushqyese nëpër peizazhe të gjera, duke siguruar ujë për pije, prodhim ushqimi dhe industry”, shkruan “Di Caprio në një postim në Instagram.

https://www.instagram.com/p/B4ShcDzFnOc/?utm_source=ig_embed

Replika e aktorit vjen pas një sërë artikujsh në mediat ndërkombëare, të cilat kanë kundërshtuar po ashtu ndërtimin e HEC-ve jo vetëm në Lumin Vjosa por edhe në një sërë lumenjsh të tjerë në vend.

Vetëm mbi lumin Vjosa, një nga mrekullitë e natyrës mesdhetare, janë planifikuar 33 projekte hidroelektrike. Ekspertët janë të shqetësuar se këto diga mund të shkatërrojnë lumin më të madh në Shqipëri dhe të vënë në rrezik salmonin e Danubit, të rrezikojnë mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit ai dhe të zhvendosin një sërë komunitetesh në të gjithë rajonin

Në mars të këtij viti, EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, tre organizata që drejtojnë fushatën për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri, ngritën alarmin se dhënia e kontratave të HEC-eve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëhet për pazare. Gjithashtu organizata bën me dije se procesi është aspak transparent për publikun.
Në prill të vitit të kalur, një grup prej 30 shkencëtarësh nga 4 shtete bënë studime edhe mbi lumin Vjosa në zonën e hidrocentralit të Poçemit.

Ata zbuluan në atë zonë 300 lloje gjallesash, mes të cilave edhe 2 lloje të panjohura gjallesash, një lloj të ri peshku dhe një insekt të vecantë, të cilit i vunë emrin e lumit Isoperla vjosa. Ata kërkuan një moratorium për të ndaluar planet për ndërtime digash mbi lumin Vjosa për të paktën 3 vjet, derisa të bëhet një studim i detajuar gjeologjik të shtratit dhe rrjedhës së këtij lumi si dhe biodiversitetit të tij.

Ky memorandum u nënshkrua nga disa qindra ekspertë ndërkombëtarë, studiuesit më të rëndësishëm e më të njohur të ekologjisë dhe lumenjve kudo në botë. Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve theksoi se Vjosa është një lumë me rëndësi mbarë europiane për sa i përket biodiversitetit.

Protestë kundër ndërtimit te HEC-eve në Lumin Vjosa. Gazeta Si, 1 nëntor 2019


Nëse hidrocentralet mbi Vjosë, i Poçemit dhe i Kalivaçit, do të ndërtoheshin siç janë planifikuar, shumë prej këtyre gjallesave do të zhduken si pasojë e ndryshimit radikal të kushteve biologjike.

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit natyrorë në Europë. Përgjatë gjithë rrjedhës së tij prej mbi 270 kilometra lumi është I paprekur dhe rrjedh i lirë, me larmi tiparesh hidro-morfologjike. Sëbashku me degët e saj, Vjosa përbën një ekosistem dinamik, thuajse natyror, të rrallë për Europën. Lugina e Vjosës shtrihet në jug të vendit në një lartësi mesatare 855 metër mbi nivelin e detit.

Përgjatë luginës janë shpallur 10 zona të mbrojtura dhe afro 130 monumente natyre.
Sipas shoqatës ambientaliste Eco Albania, ndërtimi i HEC-eve është kërcënimi aktual më i madh në këtë zonë.

Por nuk është vetëm Vjosa, pasi Qeveria shqiptare ka aprovuar ndërtimin e 81 diga HEC-eve në vend, pavarësisht paralajmërimeve të kritikëve se këto hidrocentrale po përshpejtojnë erozionin në bregdet dhe po vendosin banorët e pambrojtur në rrezik.
Ndërtimi i HEC-eve duket se po mjegullon të ardhmen e turizmit, prodhimin bujqësor dhe mbi të gjitha për natyrën e jashtëzakonshme të Veriut dhe Jugut të Shqipërisë.

Lumenjtë e Alpeve, Cemit, Vermoshit, Lëpushes, Shales, apo Gashit përbëjnë një aset të jashtëzakonshëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, por ndërkohë lumi i Valbonës më i madhi mes tyre po e humbet këtë natyralitet për shkak të HEC-eve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë