Kryeministri Zoran Zaev ka shkaktuar një tërmet politik në Maqedoninë e Veriut fundjavën e kaluar, duke i bërë ftesë publike opozitës që të bëhet pjesë e një qeverie më të gjerë. Vetëm disa ditë pasi konfirmoi se 62 deputetë votuan pro në mocionin e votëbesimit të qeverisë, Zaev doli me deklaratë të fortë publike, duke i bërë kryeministri i parë në Shkup që i kërkon partisë opozitare të formojë qeveri të përbashkët.
Si arsye për këtë lëvizje politike, Zaev përmendi shembullin e Gjermanisë kur partitë më të mëdha janë bashkuar dhe e çojnë vendin përpara.
Por çfarë fshihet pas kësaj kërkese dhe përse erdhi pikërisht tani?
Analistët politikë në Shkup thonë se Zaev ia ka bërë këtë ftesë VMRO-DPMNE-së në mënyrë që të shmangë ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë në 90 ditët e ardhshme. Sipas tyre kjo do t’i mundësojë Zaev që të mbajë nën kontroll opozitën, duke i lënë të zënë me kalkulimet se në çfarë sektori do të përfitojnë dhe çfarë poste do të ndajnë.
Zaev tha se do të ofrojë bashkëpunim nga çdo aspekt i mundshëm ku nuk ka mbështetje nga opozita, prandaj dhe e cilësoi qeverinë e përbashkët me opozitën si zgjidhjen më të mirë për vendin. Pavarësisht se ka një mandat edhe tre vjet e gjysmë, kryeministri aktual kërkon qeveri të zgjeruar që sipas tij do të kalojë shumë pengesa në Kuvend, duke haur edhe përçarjet në administratën shtetërore dhe shkatërrimin e klientelizmit në gjyqësor.
Gazetarja e Alsat M në Maqedoninë e Veriut, Fatlume Dervishi thotë për Gazetën Si përfshirja e opozitës në qeveri padyshim që do të dobësonte pozitën e partive shqiptare. “Në këtë rast ndarja e posteve do të ishte proporcionale sipas votave dhe për partitë shqiptare do të kishte shumë më pak poste. Edhe vota e tyre në Kuvend do të ishte më pak e rëndësishme dhe më pak e nevojshme”, i thotë ajo Gazetës.
Sipas Dervishit, ftesa për një Qeveri të zgjeruar duket shumë e pamundur për t’u realizuar sidomos duke marrë parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta që mbajnë partitë për momentin.
“Kryeministri Zaev shfrytëzon faktin që kreu i opozitës Mickoski është në izolim dhe i shtrirë në spital (nga infektimi me koronavirus) për të marrë vëmendje mediatike duke promovuar idetë e tij në kuadër të “politikave të hapura” që i kishte paralajmëruar më herët. Kjo vërtetë mori vëmendjen e mediave por jo edhe pëlqimin e opozitës. VMRO-DPMNE-ja nuk do ta pranojë propozimin për Qeveri të zgjeruar kurse opozita shqiptare ka kushte të cilat vështirë se do të gjendet vullnet që të plotësohen”, shprehet gazetarja.

VMRO-DPMNE e mirëpriti ofertën e kryeministrit, por vetëm me deklaratën se qeveria nuk funksionon dhe se duhet të ndryshohet sa më shpejtë. Hristijan Mickoski është i izoluar pasi është infektuar me koronavirusi, por partia e tij tha se do të pranonte një qeveri të përbashkët vetëm nëse drejtohet nga një person jo-partiak.
Deputeti Antonio Milloshoski tha se nëse qeveria e ekspertëve drejtohet nga një njeri që do të ishte jo partiak, i pranueshëm nga të dy palët, i cili mund të drejtojë vendin deri në zgjedhjet lokale, dhe pastaj të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë opozita është e gatshme të diskutojmë një koncept të tillë.
Ftesa e Zaev vjen ndërkohë që opozita maqedonase është e përçarë, sepse shumë prej figurave të larta të VMRO DPMNE-së janë kundër kryetarit aktual Mickoski. Me futjen në qeveri, Zaev synon të rrisë përçarjet brenda VMRO DPMNE-së. Një ditë pas deklaratës së tij, shumë deputetë opozitarë dolën me kritika ndaj liderit të partisë së tyre duke kërkuar më shumë bashkëpunim me opozitën. Duke qene se ndodhet në izolim, Mickoski nuk mund të kontrollojë të gjithë anëtarët e partisë.
Por kjo lëvizje e Zaev duket se ka tronditur nga themelet e koalicionit të tij me partinë më të madhe shqiptare. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha nuk është i gatshëm të ndajë qeverinë me opozitën. Sipas tij, asgjë e mirë nuk do të vijë për vendin nëse të gjithë partitë të ulen në pushtet, duke lënë bosh karrigen e opozitës. “Misioni i opozitës është t’i shprehë vërejtjet e veta, qofshin ato edhe pa vend, sepse roli i opozitës, jo vetëm tek ne por tek të gjitha vendet e përparuara demokratike, është që vetëm në raste të veçanta mund të bëhet pjesë e qeverisë,” tha Ahmeti.

Por pavarësisht skepticizmit nga partia më e madhe opozitare maqedonase dhe ajo shqiptare në pushtet, opozita shqiptare është treguar e gatshme të hyjë në qeveri
Opozita shqiptare ASH-AAA ka njoftuar të dielën se është e gatshme të hyjë në Qeveri të zgjeruar, por me kushtet e saj. Zijadin Sela ka thënë se nëse Zaev e ka me gjithë mend këtë ofertë, Aleanca për Shqiptarët do të ishte e gatshme të negociojë, nëse Qeveria e zgjeruar merr përsipër zbatimin e plotë të ligjit për gjuhën shqipe si dhe zbardhjen e të gjitha përgjimeve
“Qeveria e re duhet t’i drejtohet BE-së për task forcë me gjykatës dhe prokurorë për të zbardhur të gjitha përgjimet politike. Ne si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa duam zgidhje në lidhje me çështjen e shtetësisë dhe gjuhës”, tha Sela. Partia tjetër shqiptare në pushtet, Lëvizja Besa nuk ka pasur deri më tani ndonjë reagim.
Analisti Selim Ibraimi thotë se me ftesën e tij për qeverinë, Zaev i teston edhe partitë shqiptare. Ahmeti sigurisht që nuk do të dojë që partitë shqiptare në opozitë të bëhen pjesë e pushtetit, sepse është i vetëdijshëm se pushteti në një farë forme i fuqizon partitë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




