Analize

Përse pakti i mbrojtjes mes shqiptarëve dhe kroatëve nervozoi Vuçiçin?

Nga Gazeta ‘Si’- Vendimet që vijnë prej Shtëpisë së Bardhë po diktojnë ndryshimin e kursit gjeopolitik edhe në Ballkan.

Një marrëveshje trepalëshe në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është dëshmi për këtë. Të paktën, sipas ministrave që e nënshkruan atë.

Ato thanë se ajo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë dhe paqen në Ballkanin Perëndimor dhe se erdhi si një vendim strategjik që reflekton realitetin e ri gjeopolitik.

Ndonëse u kujdesën që të mos e nominonin me emër Serbinë në kurrfarë momenti gjatë konferencës, definimi se shteti që shihej si “kërcënim për stabilitetin në rajon” i referohej asaj, ishte afërmendsh.

Kjo, duke patur parasysh jo vetëm kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë në veri të Kosovës dhe pretendimet territoriale që burojnë nga projektit i njohur “Bota Serbe” por edhe deklaratat e vetë krerëve të shtetëve.

Albin Kurti e konsideron Serbinë ‘një agresor’ që rrezikon rajonin, ndërsa edhe raportet e kryeministrit kroat Plenkoviç me Vuçiçin kanë dëshmuar që nuk janë fort miqësore.

Ministrat e mbrojtjes së tre shteteve në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes

Që i takonte Serbisë, e trumbetoi me kreshendo nacionaliste edhe presidenti serb Aleksander Vuçiç i cili , në një reagim me vrik e konsideroi paktin si “provokim” dhe sulm ndaj integritetit territorial të Serbisë, pasi ai përfshin Kosovën, të cilën ai ende refuzon ta njohë si shtet të pavarur.

“Kjo nismë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Kosovën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren. Presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarake”, tha Ministria e Jashtme e Serbisë në një deklaratë.

Por a është kjo marrëveshje vërtet kaq ‘shqetësuese’ për Serbinë?

Marrëveshja e këtij sfondi e cila është e para në rajon, parashikon forcim të kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin në trajnimet ushtarake.

Nga Ministria e Mbrojtjes thonë për Gazetasi.al se ajo nuk nënkupton në asnjë moment reagim ushtarak në rast se ndonjëri prej vendeve ballafaqohet me sulm.

Tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride.

Edhe sipas analistit Mentor Nazarko, marrëveshja ka më shumë karakter simbolik se sa përmbajtësor.

Në një lexim politik që i bën situatës, ai vëren për Gazetasi.al se në fakt marrëveshja ka për synim të theksojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Fakti që sipas tij është Kosova ajo që po e propagandon më shumë këtë marrëveshje vjen nga pamundësia e saj për t’u pranuar në Partneritetin për Paqe.

“Ajo është një marrëveshje strikte, e kontrolluar në kuadër të NATO-s. Është NATO që e mbikëqyr dhe e koordinon një marrëveshje të tillë. Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtarë të NATO-s ndërsa Kosova jo, kështuqë është afërmendsh një marrëveshje që do të theksojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Kosova e ka nxitur realizimin e saj, pikërisht për ta treguar këtë subjektivitet. Ajo synon të zëvendësojë një anëtarësim të tillë në programin e NATO-s nëpërmjet kësaj marrëveshjes trepalëshe”, thotë ai.

Marrëveshja ka më shumë karakter simbolik se sa përmbajtësor, citon Nazarko

Gjithashtu, sipas Nazarkos, ajo është në fakt edhe tregues i marrëdhënieve të mira që Kosova ka me Kroacinë. Ai vërën se Kroacia është kujdesur që pakti të firmoset pas zgjedhjeve, në mënyrë që mos konsiderohet si kartë elektorale.

“Në pikëpamje përmbajtësore, Kosova ka marrëveshje dyplaëshe edhe me Kroacinë dhe me Shqipërinë. Me Kroacinë ka edhe për blerje armatimi. Është më shumë një afirmim i marrëdhënieve të mira duke patur parasysh edhe vizitat e nivelit të lartë mes vendeve”, thotë ai për Gazetasi.al.

Atëherë, përse u nervozua Vuçiç?

Sipas Nazarkos, presidenti serb, i cili po haset me shumë probleme të brendshme në Serbi (referuar edhe protestave masive që po mbahen në Beograd) po përpiqet të ngrejë zërin dhe të flasë për armiqtë e jashtëm.

Kjo, jo vetëm për të zhvendosur vëmendjen por edhe për t’i akuzuar ata lidhur me zhvillimet e brendshme.

Sipas tij, Vuçiç nuk po del nga loja e tij retorike.

“Vuçiç akuzon faktorët e jashtëm për nxitjen e protestave, kryesisht Kroacinë. Për këtë arsye ai ka ndaluar edhe shumë diplomat apo anëtarë të shoqërisë civile.

Edhe në retorikën e brendshme, ai e akuzon Kroacinë si nxitëse të protestave. Pra, ai vazhdon me narrativën e tij se Serbia është një shtet i atakuar, i rrethuar nga vende që nuk e duan dhe që arrin t’u rezistojë të gjithë armiqve nga Lindja, Perëndimi apo Ballkani”, vëren ai për Gazetasi.al.

Megjithatë, një opsion tjetër që mund t’i japë përgjigje zemërimit të Vuçiçit është fakti se marrëveshja hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkohen asaj, gjë që do krijonte një bllok akoma më të fuqishëm strategjik.

A mos vallë Vuçiç po i druhet mundësisë që Bullgaria, fqinji tjetër i tij mund t’i bashkohet kësaj aleance (ashtu siç kryeministri serb në largim Vuçeviç pretendoi)??


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë