Ne rrjet

Përse Orban po e ndihmon Putinin që të armatosë Serbinë?

Kalimi i tankeve dhe makinerive ruse nga Hungaria drejt Serbisë, duke sfiduar vullnetin e Bashkimit Europian, është jo vetëm një zhvillim shqetësues për rajonin, por edhe një sinjal për një aleance të re që po merr jetë brenda kontinentit: Moskë-Budapest-Beograd. Pas strehimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruveski, kreu i qeverisë hungareze Viktor Orban duket se ka vendosur të përfshihet sërish në çështjet e Ballkanit Perëndimor, duke i ardhur në ndihmë aleatit më të vyer në rajon, presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Edhe pse unioni europian ka vendosur embargo, Rusia ia ka dalë të dorëzojë 10 automjete të blinduara ushtarake në një bazë ushtarake në Serbi, falë një aeroplani mallrash që transportonte ngarkesën duke kaluar nëpër hapësirën ajrore hungareze pasi Rumania dhe Bullgaria bllokuan kalimin e tij.

Pas lajmi u bë publik nga mediat hungareze, qeveria Viktor Orban sfidoi sërish Bashkimin Europian dhe mbrojti vendimin e saj për të lejuar transportin e automjeteve ushtarake ruse përmes hapësirës së saj ajrore.

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, BE-ja vendosi një embargo në tregtinë e armëve me Rusinë, si dhe një ndalim eksporti për mallrat që mund të përdoren për qëllime ushtarake dhe civile.

Vladimir Putin dhe Viktor Orban

Por pavarësisht reagimeve të ashpra nga BE-ja, shefi i shtabit të kryeministrit hungarez, Gergely Gulyás u tha gazetarëve të mërkurën se dërgesa ajrore u lejua të kalonte nëpër hapësirën e Hungarisë, sepse nuk transportohej në një aeroplan ushtarak, por në një aeroplan civil, i cili nuk kërkon leje të veçantë.

"Sigurisht që ne njoftohemi për një aeroplan civil që hyn në hapësirën ajrore hungareze, por ky është një njoftim plotësisht i llojit protokoll," tha Gulyás, duke shtuar se për arsye gjeografike, ngarkesa ruse gjithashtu do të duhej të fluturonte përmes Polonisë dhe Sllovakisë.

Por një zëdhënës i BE reagoi ashpër duke u përgjigjur se zbatimi i sanksioneve është përgjegjësi e padiskutueshme e vendeve anëtare të BE-së”.

Të Premten, Ministria e Jashtme Rumune tha se kishte bllokuar dërgesën e madhe të tankeve dhe automjeteve të blinduara nga Rusia për në Serbi përmes të lumit Danub, për shkak të embargos së BE-së. Dhjetë automjeteve ushtarake të llojit “BRDM-2” mbërritën në bazën ushtarake në Nish të Serbisë javën e kaluar. Agjencinë e Lajmeve AP do të shkruante se fuqitë perëndimore kanë frikë se blerja e armëve ruse mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajonin e Ballkanit, sidomos marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën ose Bosnjë-Hercegovinën. Por ky fakt nuk duhet të përbëjë shqetësim në Budapest.

Ndërkohë që BE ka luajtur për shumë kohë “shat mat” me Ballkanin Perëndimor, duke vonuar procesin e zgjerimit të BE-së kryesisht për shkak të problemeve të veta, konteksti gjeopolitik në rajon ka ndryshuar. Tanimë në rajon duket po lind një aleancë e re në qenëdër të së cilës është Moska. Qeveria hungareze, e cila mban lidhje të ngushta me Kremlinin ka shprehur jo pak interes përgjatë muajve të fundit për fqinjët e saj në Ballkan.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin

Arratisja e ish-kryeministrit autoritar të Maqedonisë në krahët mikpritëse të Hungarisë jo vetëm që ka zbehur autoritetin e BE-së në rajon, por edhe ka krijuar spekulime të reja rreth një lëvizjeje që merr formë në të gjithë Europën, por që nuk përfshin Bashkimin Europian, ajo midis Serbisë, Rusisë dhe Hungarisë. Këto tre vende duket kanë formuar tashmë një aleancë të re që kundërshton të gjitha rregullat e Bashkimit Europian. “Ajo që i bashkon është antipatia e përbashkët ndaj pakicave, mediave kritike dhe bizneseve të mëdha ndërkombëtare. Kjo antipati zakonisht shoqërohet me nacionalizëm dhe një respekt të ekzagjeruar për fenë dhe traditat në përgjithësi”.

Kryeministri Viktor Orban është shprehur shumë krenar për fuqizimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Serbinë. Megjithatë, qëllimet e Budapestit kanë qenë nën vëzhgim në muajt e fundit, me kritikët që ngrenë shqetësime për një rritje të investimeve nga biznesmenët hungarezë pro-qeveritarë në tregun e mediave në Ballkan.

Dërgesa e ngarkesës së armëve në Serbi dhe shmangja e Bashkimin Europian duket se vjen si një sfidë e drejtëpërdrejtë ndaj autoritetit të BE-së dhe mbi të gjitha si një fitore e rëndësishme e Kremlinit, i cili duket se gjetur tanimë një rrugë të sigurt për transportin e armëve brenda unionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë