Analize

Përse nuk u pranua Kosova në Interpol

Kërkesa e Kosovës për anëtarësimin në Interpol është hedhur poshtë për të tretën herë, ditën e djeshme, duke shkaktuar mllef e zhgënjim në Prishtinë por gëzim dhe çlirim në Beograd.

Ajo nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme të dy të tretave të 192 vendeve anëtare të Interpolit në përpjekjen e saj të tretë për t'u bashkuar me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale.

E përkrahur nga Rusia, Serbia ka lobuar fuqishëm kundër hyrjes së Kosovës në Interpol. Ky dështim shënon një pengesë të konsiderueshme për Kosovën, e cila shpreson të bëhej pjesë e Interpolit për të bërë të mundur arrestimin e kriminelëve serbë të luftës.

Sipas “Ballkan Insight”, në asamblenë e përgjithshme në Dubai të martën, 51 vende ishin kundër anëtarësimit të Kosovës, 68 ishin në favor dhe 16 abstenuan. Po kjo përpjekje dështoi pasi Kosova duhej të siguronte 115 vota për t'u bashkuar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu "zhgënjim të thellë” dhe e akuzoi Serbinë për lobim kundër anëtarësimit të Kosovës. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quajti rezultatin e votimit "të padrejtë", por pohoi se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. 

Asambleja e përgjithshme e Interpolit  në Dubai

"Marrëveshja për normalizimin … do të thotë hyrje e shpejtë në BE, përndryshe të dy vendet do ta paguajnë shtrenjtë", tha Thaçi për mediat në Dubai. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi nga ana tjetër se Prishtina duhet të kuptojë se "zgjidhja e të gjitha problemeve të saj është në arritja e një marrëveshjeje me Beogradin”.

"Do të ishte mirë nëse politikanët shqiptarë do t'ua dërgonin këtë mesazh popullit të tyre", tha Vuçiçi për mediat në Beograd. Ndërkohë, ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç shpërndau një foto të asamblesë së përgjithshme të Interpolit, me mbishkrimin “fitore”.
Interpoli, rrjeti ndërkombëtar që lidh forcat policore të 192 vendeve, vepron si një platformë për bashkëpunim dhe ndarjen e informacionit për krimet ndërkufitare. Anëtarësimi do t'i kishte dhënë Kosovës qasje në një bazë të dhënash të përbashkëta të provave kriminale, të disponueshme për të gjitha vendet anëtare. 

Edhe pse aplikimi i Prishtinës zyrtare u refuzua, Kiribati dhe Vanuatu u pranuan si vende të reja anëtare. Kosova ka aplikuar dy herë për anëtarësim në Interpol, në vitin 2015 dhe vitin 2016, ndërsa vitin e kaluar ka tërhequr aplikimin pak përpara takimit të përgjithshëm të asamblesë në Kinë, pasi kjo e fundit ka kundërshtuar njohjes e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

https://twitter.com/NesaStefanovic/status/1064805314099318785?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.euronews.com%2F2018%2F11%2F20%2Fkosovo-denied-entry-to-interpol

Qeveria serbe kundërshton ashpër hyrjen e Prishtinës në Interpol, ndërkohë që ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç pretendon se anëtarësimi i Kosovës do të ishte një shkelje e të drejtës ndërkombëtare .

Një nga funksionet kyçe të Interpolit është aftësia që vendet anëtare të shpërndajnë njoftime që qarkullojnë nga Interpoli, në të gjitha vendet anëtare. Këto njoftime përfshijnë edhe dërgimin e kodit të kuq, i cili u komunikon vendeve anëtare se një shtet kërkon arrestimin e një individi, i cili pasohet nga ekstradimi i tij. Për shembull, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u arrestua në Francë në janar të vitit 2017 përmes një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në bazë të akuzave për krime lufte, por gjykata franceze hodhi poshtë kërkesën e ekstradimit të Beogradit dhe ai u lirua.

Kërkesa e Kosovës për t'u bashkuar me Interpolin ka shkaktuar frikë në Serbi, për shkak se Prishtina mund të lëshojë urdhra ndërkombëtare për anëtarët e forcave të saj të sigurisë që morën pjesë në luftën e Kosovës në 1999. Megjithatë, analistët thonë se ndjekja penale e kriminelëve të luftës varet nga vullneti politik në Serbinë.

"Edhe nëse Kosova bashkohet me Interpolin, kjo nuk do të thotë që Serbia duhet të ekstradojë njerëzit e kërkuar nga Interpoli. Secili shtet anëtar vendos se çfarë do të bëjë me urdhëresat e lëshuara nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit ", tha Sasha Djordjevic kryetar i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Gjorgjeviç tha se nuk ka sanksione për mos ekstradimin e njerëzve të kërkuar në kodin e kuq të Interpolit. Ai shtoi se kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në Interpol po "politizohej" dhe se Serbia po lobonte fuqishëm kundër kësaj kërkese. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha para mbledhjes së Asamblesë në Dubai se edhe Kosova po kërkonte mbështetje për të siguruar anëtarësimin në Interpol.

"Ka shumë vende që nuk e kanë njohur Kosovën por kanë shprehur dëshirën për të mbështetur anëtarësimin e saj," tha Hoxhaj.

Por pak para votimit, sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Biljana Popoviç Ivkoviç shprehu shqetësimin se ish "terroristët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës" mund të shpiknin dëshmitarë të rremë kundër policëve serbë në mënyrë që të lëshonin urdhër-arreste ndërkombëtare.

Autoritetet e Prishtinës janë duke kërkuar arrestimin e 57 shtetasve serbë, të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit të viteve '90, por pa anëtarësimin në Interpol, këto urdhra nuk mund të ekzekutohen jashtë kufijve të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Serbia ka lëshuar urdhra ndërkombëtarë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte. Nemanja Stjepanovic, zyrtare nga Qendra e Drejtave Humanitare Serbe tha për BIRN se gjatë negociatave të tyre të sponsorizuara nga BE-ja, Serbia dhe Kosova duhet të zgjidhin edhe çështjen e kriminelëve të dyshuar të luftës.

"Serbia duhet të njohë institucionet e Kosovës dhe kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe ato që kalojnë përmes Interpolit", tha Stjepanoviç. Në vitin 2015, Interpol lëshoi kodin e kuq, duke bërë thirrje për arrestimin e ish-deputetit serb Momir Stojanoviq, si dhe 16 qytetarëve të tjerë që ishin anëtarë të ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

"Kam frikë se çfarëdolloj gjëje që të ndodhë, Serbia do të vazhdojë të strehojë ushtarët e dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë," tha Stjepanoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë