Nga Gazeta ‘Si’ - Prej se Shqipëria njoftoi lëvizjen befasuese për t’i dhënë sovranitet Urdhrit Bektashi, krijimi i këtij mikro-shteti 27 hektarësh u paraqit kudo si një kopje e stilit të Vatikanit.
Porse gjatë aludimeve dhe diskutimeve publike janë bërë shumë krahasime, historia dhe tipologjia e organizimit të Vatikanit sugjeron në fakt se nuk mund të heqim shumë paralele mes tij dhe mikroshtetit për bektashinjtë që do të udhëhiqet nga Baba Mondi.
LEXO EDHE:
- Një ‘Vatikan’ brenda Tiranës?/ NY Times: Me kufij, administratë dhe pasaporta, Rama planifikon ndërtimin e një mikroshteti mysliman
- Pas NYT, Edi Rama e thotë edhe në OKB: Mbështesim transformimin e Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran në Tiranë
Edhe pse emëruesi i përbashkët i të dyve është misioni shpirtëror, ndryshimi thelbësor mes tyre do të ishte njohja globale.
Ku do ndryshojë mini-shteti shqiptar nga Vatikani
Ndryshe nga Vatikani, pushteti i të cilit në sferën ndërkombëtare nuk krahasohet asfare me masën e tij territoriale (44 ha) dhe ka një histori të gjatë të njohjes ndërkombëtare, mini-shteti i ri shqiptar mund të përballet me shumë sfida në krijimin e legjitimitetit.
Ndër vendet që kanë shumë pak gjasa ta njohin atë është edhe Irani, i cili ka shumë ndjekës kryesisht të fshehtë të islamit sufi, duke përfshirë disa bektashinj, por e sheh veten si rojtar i Islamit shiit.
Ndonëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se irianianët janë shqetësimi i tij i fundit, në fakt do të duhet shumë mbështetje dhe negociata nga aleatët ndërkombëtarë.
Gjithashtu, ndryshe nga Vatikani i cili është i njohur për traditat e tij të ngurta dhe strukturën hierarkike, Baba Mondi ka shprehur një qasje më liberale.
Ai planifikon të lejojë alkoolin, të mbështesë stilin e jetesës dhe të inkurajojë gratë të veshin çfarë të dëshirojnë, duke i dhënë atyre lirinë për të shprehur identitetin e tyre.
“Ekstremistët myslimanë që vendosin bomba dhe përdorin dhunën për të përhapur versionin e tyre të besimit, janë thjesht kauboj,” deklaroi ai në mbështetje të qasjes së tij.
Kjo qasje e hapur është në kontrast të theksuar me disa nga interpretimet më të ngurta të Islamit, dhe Baba Mondi shprehet se është i përkushtuar për të përballuar ekstremizmin.
Deri tani, të ngjashme me Selinë e Shenjtë, që qeverisët nga Papa si një monark absolut, shteti bektashi do të ketë vetëm autoritetin e tij dhe administrimin e territorit me rregulla të veçanta.
Gjithashtu sipas teologëve krahasimi nuk qëndron pasi Vatikani lindi si proces i konfliktit mes shtetit italian dhe shtetit papal, për shkak të një konflikti politik dhe të armatosur. Ata mendojnë se kështu dashur pa dashur kjo i bën bektashinjtë jo patriotë, sepse krijon një precedent.
Një tjetër ndryshim është se shtetit të propozuar, që pritet të jetë sa një e katërta e qytetit të Vatikanit, do t'i mungojnë tiparet tradicionale sovrane si ushtria, rojet kufitare ose gjykatat.
Ndryshimi që nga historia e krijimit të tij dhe organizimi i brendshëm i Vatikanit
“Aty ku ra një perandori, u ngrit një tjetër perandori”, është fjalia që përshkruan më së miri gjenezën e krijimit të Vatikanit. Megjithatë, nëse e para ishte perandori lufte e pushteti ushtarak, e dyta ishte një perandori shpirtërore.
Historia
Perandori Kaligula (37-41) nisi ndërtimin e cirkut në këtë zonë. Zona u bë pjesë e martirizimit të shumë të krishterëve pas zjarrit të madh të Romës në vitin 64. Ky është vendi ku u kryqëzua dhe Shën Pjetri. Varret dhe mazoleumet, si dhe altaret e zotave paganë të të gjitha llojeve u ndërtuan dhe qëndruan aty deri përpara ndërtimit të Bazilikës Konstantiniane të Shën Pjetrit në gjysmën e parë të shekullit të katërt. Në vitin 326, kisha e parë, Bazilika Konstantiniane u ndërtua në zonën, ku arkeologët e shquar italianë pranojnë se është varri i Shën Pjetrit. Që atëherë, zona filloi të bëhej më e populluar, por më së shumti nga shtëpi të lidhura me aktivitetin e Shën Pjetrit.
Në këtë kohë, Vatikani nuk ishte banesa e zakonshme e papëve por në vitin 1870, zotërimet e papës u përballën me një situatë të pasigurt, kur Roma u aneksua nga forcat, të cilat kishin bashkuar pjesën tjetër të Italisë. Nga viti 1861 – 1929 statusi i papës konsiderohej si “Çështja Romake”. Ato nuk shqetësoheshin në pllatin e tyre dhe kishin një farë statusi, duke përfshirë të drejtën për të dërguar dhe pritur ambasadorë. Por ato nuk e njihnin të drejtën e mbretit italian për të qeverisur në Romë dhe refuzuan të largoheshin nga Vatikani derisa çështja u zgjidh, në vitin 1929. Shtetet e tjera vazhduan ta njohin në rang ndërkombëtar Selinë e Shenjtë, si një njësi sovrane.
Në praktikë, Italia nuk bëri asnjëherë përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e Selisë së Shenjtë, brenda mureve të Vatikanit. Sidoqoftë, shumë prona të kishës në vende të tjera u konfiskuan, duke përfshirë dhe pallatin “Quirinal”, dikur banesa zyrtare e papës. Papa Pio IX, udhëhëqësi i fundit i shteteve papnore pretendonte se pasi Roma u aneksua ai ishte “i burgosur në Vatikan”. Kjo situatë u zgjidh më 11 shkurt 1929 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Italisë. Traktati u nënshkrua nga Benito Mussolini, në emër të mbretit Victor Emmanuel III dhe Sekretari Kardinal i Shetit, Pietro Gasparri si përfaqësues i Papa Pio XI.
Traktati përcaktonte pavarësinë e Shtetit të Vatikanit dhe i jepte katolicizmit status special në Itali.
Sistemi politik
Qeveria e Vatikanit ka një strukturë unike. Papa është sovrani i shtetit. Autoriteti legjislativ zbatohet nga Komisioni Peshkopal i Vatikanit, një trup kardinalës të caktuar nga Papa, për një periudhë pesë-vjeçare. Pushteti ekzekutiv është në duart e presidentit të këtij komisioni, i asistuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendësekretari i Përgjithshëm. Marrëdhëniet e jashtme të shtetit i janë besuar Sekretariatit të Selisë së Shenjtë dhe shërbimit diplomatik. Sidoqoftë, papa ka pushtet të plotë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor mbi Vatikan. Ai është aktualisht i vetmi monark absolut në Evropë. Gjithashtu, ka departamente specifike që merren me shëndetësinë, sigurinë dhe telekomunikacionin.
Marrëdhëniet diplomatike
Vatikani është një territori i njohur kombëtar sipas ligjit ndërkombëtar, por është Selia e Shenjtë që kryen aktivitetin e marrëdhënieve diplomatike në emër të tij. Vatikani, thuajse nuk ka shërbim diplomatik vetjak. Ambasadat e huaja në Selinë e Shenjtë janë të vendosura në qytetin e Romës. Influenca e madhe në çështjet botërore është në përpjestim krejtësisht të zhdrejtë me masën fizike të Vatikanit.
Ekonomia
Ekonomia unike, jo komerciale mbështetet financiarisht nga kontributet e katolikëve në gjithë botën, me shitjen e stampave postare dhe relikeve turistike, tarifave për vizitimin e muzeve dhe shitjen e botimeve. Të ardhurat dhe standardet e jetësës së punonjësve janë të krahasueshme, ose disi më të mira se ato të homologëve të tyre që punojnë në qytetin e Romës. Vatikani ka gjithashtu bankën e tij “Istituto per le Opere di Religione”.
Popullsia dhe gjuhët
Thuajse gjithë banorët e Vatikanit jetojnë brenda mureve të Vatikanit ose shërbejnë në ambasadat e Selisë së Shenjtë nëpër botë. Popullsia e Vatikanit përbëhet nga dy grupe: kleri, pjesa më e madhe e të cilit është në shërbimin e Selisë së Shenjtë dhe disa zyrtarë të shtetit, si dhe rojet zvicerane. Shumica e tre mijë punëtorëve, të cilët përbëjnë forcën punëtore të Vatikanit jetojnë jashtë Vatikanit dhe janë shtetas italianë përgjithësisht. Si rezultat, gjithë banorët e Vatikanit janë katolikë.
Vatikani nuk ka asnjë gjuhë zyrtare. Në legjislacion dhe komunikim zyrtar përdoret gjuha italiane. Në Gardën Zviceriane përdoret gjuha gjermane, ndërkohë që faqja zyrtare e internetit të Vatikanit është në italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.