Duke folur krah kryeministrit Edi Rama në Athinë, ish-ministrja e jashtme greke akuzoi sot publikisht Turqinë se kishte bllokuar marrëveshjen për ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë. Akuzat e rënda, të cilat e kanë vendosur vendin tonë mes dy zjarreve, vijnë jo vetëm mes tensioneve në rritje mes Athinës dhe Ankarasë, por edhe ndërkohë që Shqipëria dhe Greqia po rinisin negociatat për detin. Nga njëra anë Turqia nuk do që Shqipëria të bëjë lëshime ndaj Greqisë, në mënyrë që mos të krijojë një precedent edhe në Egje dhe nga ana tjetër, Greqia që nuk pranon që Turqia të përfshihet në asnjë lloj forme në këto bisedime.
Por përse është Athina kaq e bindur se Ankaraja po fut hundët në bisedimet mes dy vendeve?
Gjithcka nisi pas deklaratave të admiralit të larguar turk dhe frymëzuesit të “Atdheut Blu”, Cihat Yaycı, se anulimi i marrëveshjes për përcaktimin e zonave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë është bërë pas ndërhyrjes së Turqisë, duket se kanë shkaktuar në përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe Bakojanis.
Në një intervistë për Haberturk tre muaj më parë, Yaycı përshkroi sesi ndërhyri diplomatikisht Ankaraja për të bllokuar marrëveshjen e arritur nga Dora Bokojanis dhe Lulzim Basha: “Në vitin 2009 u nënshkrua një marrëveshje për ZEE midis Greqisë dhe Shqipërisë për të drejtat edhe të Shqipërisë në ishujt në Adriatik. Greqia përdori kufijtë “anësorë” në avantazhin e saj. Ne dërguam fshehtas raportin tonë Shqipërisë dhe paralajmëruam: “Po ju mashtrojnë”. Me gjithë nënshkrimin e marrëveshjes, Shqipëria kundërshtoi Greqinë, duke thënë: “Nuk është e drejtë që ishujt tanë dhe toka jonë të kenë të njëjtat të drejta”, ndërsa anuloi marrëveshjen duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ai në intervistën me gazetën turke. “Greqia ka kërkuar vazhdimisht që ishujt të pranohen si zona me juridiksion të barabartë detar si ato kontinentale, por nuk mund të bindte as Shqipërinë, as Italinë. Sidoqoftë, me të njëjtat argumente, ajo po ngre pretendime kundër Turqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor…”, shtoi ai.
Gjenerali deklaroi po ashtu se ish-ministri Bushati ishte larguar me ndërhyrjen e Ankarasë ndaj z. Rama, pikërisht sepse Turqia nuk donte që të vazhdonte Marrëveshja me Greqinë.
Deklaratat e tij nuk u shpëtuan zyrtarëve greke, pasi kjo ishte hera e parë që një zyrtar turk ka pranuar publikisht se operacioni në Shqipëri i iniciuar nga lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese, e cila çoi në anulimin e marrëveshjes të nënshkruar tashmë nga dy ministrat e jashtëm, u bë pas ndërhyrjes dhe udhëzimit turk.
Sipas gjeneralit, qëllimi i Turqisë ishte të shmangte një marrëveshje demarkacioni në të gjithë rajonin bazuar në parimet e Ligjit të Detit, siç është Marrëveshja greko-shqiptare e vitit 2009.
Duke folur sot në një forum në Athinë, Kryeministri shqiptar Edi Rama kundërshtoi të gjitha raportet për ndërhyrjen turke, duke thënë se në kohën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai nuk ka pasur asnjë takim me Erdogan dhe se edhe pas këtij momenti, Turqia nuk ka shfaqur asnjëherë interes për këtë çështje.
“Gjykata Kushtetuese mori vendim për këtë marrëveshje në 2009 dhe në atë kohë, as e kisha takuar dhe as kisha folur me Erdogan, asokohe Kryeministër i Turqisë. Nuk kishim asnjë raport. Ne vendosëm që marrëveshjen ta çonim në gjykatë për një arsye të thjeshtë, kishte një debat të madh në shoqëri, që u nis nga shoqëria civile dhe nuk doja që ky debat të shndërrohej në politik dhe në luftën e zakonshme mes opozitës dhe pozitës dhe ne e çuam në gjykatë. Është e pavërtetë ndërhyrja nga Turqia. Asnjëherë në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje është e ndonjë interesi për Turqinë. Na duhet të qartësojmë, sepse këto ide ndikojnë tek qëndrimet tona ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
Shqipëria ka partneritet strategjik si me Turqinë, ashtu edhe me Greqinë. Por, Rama thotë se kjo nuk e vendos Tiranën në mes të dy zjarreve. Kryeministri shqiptar, që të hënën u takua me Erdogan në Turqi, tërthorazi përcolli në Athinë “porosinë” e Presidentit turk për dialog.
Rama ka deklaruar pas takimit me Mitsotaqis gatishmërinë e tij për të vazhduar bisedimet dhe për të arritur një marrëveshje. Një pengesë shtesë është mos krijimi i një Gjykate Kushtetuese në Shqipëri, e cila tani do të duhet të gjykojë kushtetutshmërinë e çdo marrëveshjeje të re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.