Organi rregullator i Britanisë së Madhe ( homologu i Bordit të Mbikqyrjes Publike në Shqipëri ) i ka bërë presion firmave të famshme të auditimit, të njohura si “Big Four” për të ndarë njësitë e tyre me qëllim të përmirësimit të cilësisë së auditimeve.
Ideja lindi kur skandalet e Enron në 2001 dhe WorldCom në 2002 shpejtuan zhdukjen e Arthur Andersen, firma e kontabilitetit që ishte pjesë e “Big Five”. Që atëherë ngelën katër dhe grupi aktual përbëhet: PwC, Deloitte, KPMG dhe EY.
Arthur Andersen atëherë kishte shërbime të sigurta, kontabiliteti dhe auditimi për korporatat e mëdha. Skandalet e Enron dhe WorldCom dhe shpërthimi i shoqërive pikë-com (shoqëritë e lidhura me internetin) në Amerikë, çuan në miratimin e Ligjit Sarbanes-Oaxley në 2002, i njohur gjithashtu si Reforma e Kontabilitetit të Ndërmarrjeve Publike dhe i Mbrojtjes së Investitorëve. Por reforma e synuar nuk u arrit kurrë plotësisht dhe tani përpjekjet janë kthyer sërish.

Tashmë ka një afat kohor për ndarjen.
Siç është raportuar të hënën nga gazeta angleze Financial Times, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka caktuar tashmë një afat për Big Four. Firmat e kontabilitetit kanë afat deri në vitin 2024 të ndajnë praktikat e tyre të auditimit, sipas një vendimi të organit rregullator i cili shënon rregullimin e industrisë më të madhe pas një kohe shumë të gjatë.
Këshilli i Raportimit Financiar (Financial Reporting Council, ose FRC) publikoi parimet për ndarjen operacionale të njësive të auditimit nga PwC, Deloitte, KPMG dhe EY. Firmat kanë afat deri në fund të tetorit të përshkruajnë planet e tyre për të zbatuar 22 parimet, dhe deri në qershor 2024 për të përfunduar masat.
Është rregullimi i parë strukturor i mënyrës së funksionimit të grupeve që nga viti 2018, kur u bënë shumë riparime për shkak të kolapsit të Carrillon, ndërmarrja shumëkombëshe e ndërtimit. Pastaj pati më shumë kolapse të profilit të lartë: BHS, Thomas Cook dhe së fundmi Wirecard. Të gjitha ato raste rritën presionin tek organet regullatore.
Parimet e reja të FRC kërkojnë që firmat të paguajnë auditorët bazuar në të ardhurat nga auditimet e tyre, të mbrojnë financat e departamentit të auditimit me një llogari të veçantë fitimi dhe humbje dhe të prezantojnë një organ të auditorëve të pavarur për të monitoruar praktikën. Qëllimi është të përmirësohet cilësia e auditimit.

Ndryshimet tek katër të mëdhenjtë: çfarë mendojnë kompanitë?
FRC beson në përmbushjen vullnetare të nënshkrimeve, por dyshohet se ky organ do të zëvendësohet nga një organ tjetër rregullator më i fuqishëm i quajtur Auditimi, Raportimi dhe Autoriteti i Qeverisjes, i cili do të kishte më shumë kompetenca për të imponuar ndryshime në Big Four.
KPMG dhe Deloitte demonstruan pajtueshmëri në përputhje me masën e qeverisë britanike.
Jon Holt, kreu i auditimeve në KPMG, tha që njoftimi i FRC është “vetëm hapi i parë për rikthimin e besimit në kompanitë britanike” dhe shtoi se “KPMG mbështet ndarjen operacionale në Britani.”
Stephen Griggs, shefi i auditimit të Deloitte tha: “Ne e përshëndesim këtë qartësi të FRC mbi parimet e ndarjes operative dhe vazhdojmë të punojmë me ta për të zhvilluar planet tona në muajt e ardhshëm. Ne mbetemi të përkushtuar që të luajmë rolin tonë në bërë realitet përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe rivendosjen e besimit.”Burimi: Financial Times
Përgatiti për Gazetën “Si” Meri Lika
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje