Futboll

Përralla e fundit e Lidsit, kur shkonte në gjysmëfinale të Championsit

Rikthimi i Lids Junajtid në Premier Ligë pas 16 vitesh rikthen edhe disa kujtime të bukura. Ato të një klubi historik të futbollit anglez dhe jo vetëm, që po përpiqet të ngjitet atje ku e meriton të jetë, në Kupat e Europës. Në 2001-shin, skuadra e Devid O’Lirit shkoi deri në gjysmëfinale të Championsit, një rezultat i pabesueshëm që koinccidon me fillimin e një rënieje deri në kategorinë e tretë.

Logo e Lids Junajtid. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Me udhëheqjen e Marselo Bielsës dhe presidencës italiane, nuk është e pamundur rilindja. Kthimi në nivelin elitar u prit me simpati të madhe nga e gjithë bota e futbollit, jo vetëm për të shkuarën e lavdishme dhe tërheqëse. Kjo edhe për faktin se me Lidsin lidhet përralla e fundit e përjetuar nga një skuadër angleze në Champions. Një rrugëtim që ende sot kujtohet me admirim. Ishte edicioni 2000/2001, ishte Lidsi i Devid O’Lirit.

Gjithçka kishte nisur një vit më parë, në sezonin 1999/2000. Lidsi zuri vendin e tretë, duke lënë pas krahëve skuadra të forta si Liverpuli dhe Çelsi. Për “të bardhët” ishte rezultati më i mirë që pas fitimit të titullit në 1991/1992. Për 8 vite radhazi nuk kishte shkuar më lart se vendi i 4-t. Nuk ishte kurrë në garë për titullin (ishte 22 pikë pas Mançester Junajtid), madje edhe vendi i tretë ka një domethënie të rëndësishme sa sportive, aq edhe ekonomike. Lidsi u kualifikua për në paraeliminatoret e Championsit (në atë kohë Anglia kishte 3 vende).

Devid O’Liri, trajneri i Lidsit në atë kohë. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Skuadra e drejtuar nga O’Liri ishte e fortë, shumë fizike, por edhe plot talent brenda, sidomos në repartin e avancuar. Një grup që i bën me agonizëm dhe personalitet shifrat e veta futbollistike. Në portë është veterani Najxhëll Martin. Nuk është një toplayer, por ka shumë eksperiencë. Me të Kristal Pallasi arriti vendin e tretë në 1990/91-shin. Lidsi luan me 4 mbrojtës. Kapiteni Radebe ka në krah një djalosh të ri që më pas do të bëhet dikush. Ai quhet Rio Ferdinand. Xhonatan Vudgejt luan në të djathtë dhe në të majtë specialisti i goditjeve të dënimit, irlandezi Ian Hart.

Në krahët e mesfushës luajnë Devid Beti dhe Herri Kjuell, të cilët krijojnë volum loje dhe kanë kualitet. Në mes janë Olivier Dakur dhe Li Bojer, të cilët vrapojnë pa fund dhe depërtojnë mirë në zonë. Të gjithë janë në dispozicion të dyshes sulmuese me Mark Vidukën dhe Alan Smithin. Ky i fundit, bashkë me Bojer, janë beniaminët e tifozëve. Është 20 vjeç dhe ka dalë nga Lidsi, nga të rinjtë e tij. Edhe sot është shënuesi më i mirë europian në historinë e “të bardhëve”.

Është 9 gusht 2000, kur “Elland Road” rikthehet në Champions League. Në turin e tretë paraeliminator vjen Mynih 1860, i katërti në Bundesligë vitin e fundit. Shënojnë Alan Smith me kokë dhe pastaj Hart me penallti, ndërsa një gol i Agostino në fund komplikon gjërat. Fitorja 2-1 lë një shije të keqe, pasi në ndeshjen e kthimit gjermanëve u mjafton një 1-0 për t’u kualifikuar. Por në Mynih mendon sërish Alan Smith.

Pak sekonda para fundit të pjesës së parë, Martin e dërgon topin drejt Vidukës. Australiani lufton me dy mbrojtës kundërshtarë dhe i shtrirë në tokë arrin të nxjerrë shokun e skuadrës përballë Hofmanit. Smith nuk gabon me të majtën dhe Lidsi kualifikohet për në grupet e Championsit.

Ferdinand në ndeshjen çerekfinale ndaj Deportivo La Korunjës. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Beshiktashi, Milani dhe Barcelona janë kundërshtarët e anglezëve në Grupin H, ku duket se nuk ka vend për surpriza. Milani dhe Barcelona luajnë për vendin e parë, kurse djemtë e O’Lirit do të luajnë me turqit për Kupën UEFA. Parashikimi përforcohet pas ndeshjeve të para. Një humbje 4-0 në “Camp Nou”, diferenca është e madhe. Ndeshja e radhës luhet në “Elland Road” dhe gjërat ndryshojnë. Është 19 shtator 2000, vjen Milani i Xakeronit që ka mundur Beshiktashin.

Në Lids bie shi dhe duket një 0-0 e sigurt. Topi shkon te Li Bojer, ka edhe një minutë lojë dhe distanca që e ndan nga porta e Didës është rreth 30 metra. Bojer gjuan me të djathtën dhe Dida vendos të bëjë diçka të rrezikshme në një terren të rrëshqitshëm. Sfera, pas kontaktit me barin e lagur, nuk kthehet në duart e brazilianit, por kalon vijën fatale dhe këtu nis kthesa e Lidsit në Champions.

Në dy ndeshjet e radhës vijnë edhe 4 pikë të tjera ndaj Beshiktashit. Në Stamboll u mbyll 0-0, kurse në “Elland Road” luhet ndeshja e pjekurisë. Lidsi bëhet i ndërgjegjshëm se është një skuadër e madhe. Rezultati është 6-0, por nuk tregon plotësisht gjithë ndeshjen. Superioriteti i djemve të O’Lirit është i njëjtë me atë të një klubi të Serisë A me një të Serisë B. Shënon dy herë Bojer, pas tij Viduka, Mateo, Bake dhe Hakërbi. Ndeshja në shtëpi me Barcelonën është “match point”-i i parë për fazën e dytë në grupe. Katalanasit janë në fije të perit, pasi pas fitores me Lidsin kanë pësuar dy humbje dhe kanë marrë një barazim.

Bojer feston golin e fitores ndaj Milanit. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Por Lidsi është shumë më ndryshe nga ai i Spanjës. Minuta e 5-të e lojës, goditje dënimi në pozicionin e pëlqyer nga Bojer. Mesfushori i jep topit një trajektore që shtang Dutruel dhe përfundon në trekëndësh. Goli elektrizon stadiumin dhe 88 minuta Barcelona është jashtë Europës. Në shtesë, Koku fut një top në zonë, Gerard godet me kokë dhe gjen traversën, por aty është Rivaldo që barazon. Barazimi vetëm sa zgjat iluzionin e Barcelonës. Në “San Siro”, kundër Milanit, Lidsit i mjafton një barazim për t’u kualifikuar dhe i takon Mateos të mbyllë llogaritë e Grupit H. Goditja e tij me kokë kalon në avantazh anglezët, më pas barazon Serxhinjo. Shpresat e Barcelonës shuhen pas shtyllës së Shevçenkos me penallti. Milani 11 pikë, Lidsi 9, Barcelona 8 dhe Beshiktashi 4.

Goli i Li Bojer ndaj Milanit. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Real Madrid, Lacio dhe Anderleht. Më i lehtë Grupi D në fazën e dytë. Reali është kampion në fuqi i Europës, Lacio kampion i Italisë dhe belgët që fituan grupin edhe me kundërshtarë si Mançester Junajtid dhe PSV Eindhoven. Edhe këtë hera nisja nuk është e mirë, me një humbje 2-0 ndaj Realit në “Elland Road”. Mund të ishte një goditje e fortë psikologjike, por tashmë është shumë vonë, sepse djemtë e O’Lirit janë vërtet një skuadër e madhe europiane.

Më 5 dhjetor anglezët janë miq në “Olimpico”, ku ndeshja me Lacion duket se po shkon drejt një 0-0, por 10 minuta para fundit, topi shkon te Viduka. Sulmuesi australian e mbron mirë në hyrje të zonës, sheh Alan Smith që vjen nga pas, i pason me thembër dhe ai nuk gabon përballë Perucit. Edhe kjo fazë e dytë është në pikën e kthesës. Më pas gjithçka është një dishezë. Ndeshja e radhës me Anderlehtin, Stoika kalon belgët në avantazh, por Hart dhe Bojer përmbysin rezultatin për 10 minuta, duke çmendur stadiumin.

Viduka feston golin ndaj Real Madridit. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Në Bruksel Lidsi dominon totalisht, 1-4. Sërish protagonist Alan Smith me 2 gola. Me vërshëllimën finale dekretohet ajo që askush te Lidsi nuk e kishte imagjinuar, kalimi në çerekfinale. Ndeshjet e fundit në grup nuk kanë rëndësi, duhet menduar për sfidën me Deportivo La Korunjën, një tjetër surprizë e edicionit. Real Madrid 13 pikë, Lidsi 10, Anderlehti 6 dhe Lacio 5.

4 prill 2001. Në “Elland Road” është një nga ato mbrëmjet ku nuk do të doje kurrë të luaje, nëse do të ishe mik. Stadiumi është një vullkan, një energji që shpërthen kur Hart çon në trekëndësh një top të gjuajtur nga një goditje dënimi. Deportivo, edhe pse i mësuar të luajë në kushte të tilla, reziston vetëm një pjesë. Në pjesën e dytë, pas 20 minutash ndeshja mbyllet. Kros i Kjuell dhe Smith me kokë mposht Molinën. Pas 10 minutash Rio Ferdinand bën të njëjtën gjë gjatë një goditjeje këndi.

Lidsi është pranë kualifikimit, por është edhe ndeshja e kthimit në “Riazor”, një stadium ferri. E dinë mirë Barcelona, Valencia dhe Real Madrid, që sezonin e fundit kanë parë Tristan me shokë të ngrenë lart titullin e parë në historinë e klubit spanjoll. Pas 9 minutash, Djalminha shënon me penallti dhe 1-0. Deportivo sulmon fort dhe Lidsi vihet në vështirësi. Makai, Viktor dhe Pandiani i afrohen golit të dytë. Smith ka shansin të mbyllë llogaritë, por gjuajtja e tij prek rrjetën e jashtme. Në pjesën e dytë Maki godet traversën para golit të Tristan, që i çon shifrat në 2-0. Kanë mbetur edhe 15 minuta, që për tifozët e Lidsit duken të pafundme. Sulmet e tjera nuk sjellin golin e tretë të spanjollëve, që do ta çonte ndeshjen me shtesë. Lidsi, për herë të parë është mes 4 më të mirëve të kontinentit.

Lojtarët e Lidsit protestojnë për një gol të Valencias. Gazeta Si, 21 nëntor 2020

Në gjysmëfinale një tjetër spanjolle, Valencia, nënkampione e Europës, një skuadër fenomenale. Kanizares në portë, në mesfushë Mendieta dhe në sulm Klaudio Lopez. Në çerekfinale ka eliminuar Arsenalin. “Elland Road” ëndërron finalen e Championsit. Ndeshja e parë luhet në Angli dhe O’Liri e di që shanset për kalimin e turit luhen në këto 90 minuta. Por këtë herë faktori fushë nuk shfrytëzohet. Lidsi sulmon, por gjithçka mbyllet 0-0. Në letër duket një rezultat i mirë, por të gjithë e dinë që Valencia do të fitojë në “Mestalla”.

Është 8 maj 2001. Atmosfera është e ngjashme me atë ndaj Deportivos. Pas 16 minutash Sançez mposht Martin me një gjuajtje me kokë, pas një krosi të hidhur të Mendietës. Këtu mbaron çdo gjë. Në pjesën e dytë, brenda 5 minutash shënojnë sërish Sançez dhe Mendieta, 3-0. Për Lidsin kjo është kënga e fundit, fillimi i një disheze vertikale që do ta çojë deri në kategorinë e tretë angleze.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë